Lidhje

ShBA, shfaqet në Kongres filmi dokumentar “BESA”

  • Astrit Lulushi

ShBA, shfaqet në Kongres filmi dokumentar “BESA”

ShBA, shfaqet në Kongres filmi dokumentar “BESA”

Në një nga mjediset e Kongresit amerikan, më 29 qershor u shfaq filmi dokumentar “Besa”, ku shqiptarët paraqiten si mbrojtës të hebrenjëve gjatë periudhës së luftës së dytë botërore, kur këta përndiqeshin e vriteshin nga nazistët.

Filmi Besa vazhdon të jetë një projekt i filluar vite më parë nga fotografi amerikan Norman H. Gershman, me titull God's House (Shtëpia e Zotit). Filmi bazohet në të dhëna gojore, dokumenta e intervista me personazhë realë, shqiptarë a familje të cilët kishin shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai fillon me rrëfimin e Rexhep Hoxhës, lindur në Tiranë në vitin 1950. I ati, para se të vdiste i la atij amanet tre libra në gjuhën hebraike. Ato ishin të një familjeje hebreje që gjatë luftës ishte strehuar në shtëpinë e familjes Hoxha. Me ndihmën Gershmanit, Rexhepi zbulon historinë e panjohur të aktit të jashtëzakonshëm të të atit të tij; Besën e ndërthur me trimëri e sakrificë.


Filmi pastaj zgjerohet për të hyrë në thellësi të botës shpirtërore të protagonistëve dhe për t'i shpjeguar publikut të huaj se çfarë është Besa dhe përse shqiptarët mendojnë se ajo është pjesë e veçantë e kulturës së tyre. Edhe regjisori kryesor i filmit Jason Williams e pranon, se Besa është diçka e veçantë. Ai mendon se tri elementë shërbyen që shqiptarët të vepronin në mbrojtje të hebrenjëve; "E para ishte qeveria shqiptare gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore që hapi kufijtë për këta të ikur e të përndjekur; E dyta ishte roli pozitiv i klerikëve myslimanë, katolikë e ortodoksë që u bënin thirrje besimtarëve të ndihmonin e fshihnin hebrenjtë që kërkonin strehim; dhe së treti ishte fjala e dhënë, Besa ajo që i lidhte këta faktorë, duke krijuar të veçantën që mungonte në Evropë në atë periudhë".

Filmuar në Shqipëri, Bullgari, Izrael, dhe Shtetet e Bashkuara, filmi përmban rreth njëzet intervista me të mbijetuar dhe të shumë dëshmitarëve të tjerë.

Shfaqja e filmit u organizua nga grupi i ligjvenësve për çështjet shqiptare në Kongresin amerikan, Lidhja Hebraike që lufton Anti-Semitizmin dhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. Drejtori i këtij Këshilli, Avni Mustafa thotë se historia e hebrenjëve në Shqipëri gjatë luftës së Dytë Botërore, kurrë nuk mund të thuhet e plotë, edhe nëse për të bëhen filma a shkruhen shumë libra.

Fjala “Besë” sikur humbet në përkthim. Por për shqiptarët Besa është ashtu sic e kupton bartësi i saj, populli; "Si myslimanë të devotshëm ne u dhamë hebrenjve mbrojtjen humanitare. Pse? Sepse kështu urdhëronte miqësia, humanizmi, Besa.” Kështu shprehej në vitet 1990 në muzeun e Holokaustit Yad Vashem në Izrael, vlonjati Sazan Hoxha, i biri i Nuro Hoxhës, që strehoi 4 familje hebraike, duke vënë në rrezik jetën e fëmijeve të vet.

Ambasadori i Shqipërisë në Uashington, Aleksandër Sallabanda thotë se populli amerikan është një bashkësi kulturash, racash e besimesh të ndryshme fetare dhe shfaqja e një filmi të tillë ndikon mjaft pozitivisht edhe në marrëdhëniet SHBA - Shqipëri.

Dëshmi të mirëqënies së hebrenjëve në trojet shqiptare janë të herëshme. Para disa vitesh në Sarandë u zbuluan gjurmët e një sinagoge të periudhes romake, ndersa i ashtuquajturi “mesia i fundit" Sabbatai Zevi në shek. XVII, gjeti strehim në Ulqin e Berat pas përndjekjes nga Stambolli e Selaniku. Dhe një nga dëshimitë më konkrete është ajo në shënimet e ish-ambasadorit amerikan në Shqipëri më 1934, Herman Bersntein, i cili shkruan: "Nuk ka asnjë gjurmë diskriminimi kundër hebrenjëve në Shqipëri, sepse Shqipëria ndodh të jetë një nga vendet e rralla në Evropë ku paragjykimet dhe urrejtja fetare nuk ekzistojnë, edhe pse shqiptarët janë të ndarë në tre besime"

XS
SM
MD
LG