Lidhje

Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton paralajmëron për ndikimin e intolerancës së qeverive ndaj grupeve që nxisin demokracinë dhe liritë civile

  • Zëri Amerikës

Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton paralajmëroi dje për ndikimin e intolerancës së qeverive mbi grupet që nxisin demokracinë dhe liritë civile. Sekretarja Klinton foli në një konferencë ndërkombëtare në Krakov të Polonisë duke shënuar 10 vjetorin e themelimit të Komunitetit të Demokracive, organizatë ndërqeveritare prej 16 anëtarësh që kërkon nxitjen e reformave demokratike. Sekretarja e Shtetit foli mbi paralajmërimin që ish-kryeministri britanik Winston Churchill bëri 60 vjet më parë në lidhje me Perden e Hekurt në Evropë. Ajo tha se kjo Perde e Hekurt ra me shembjen e Bashkimit Sovjetik. Por sekretarja Klinton shtoi se bota duhet të jetë e kujdesshme për atë që ajo e quajti "Darë e Hekurt" me të cilën disa qeveri po dërmojnë ngadalë shoqërinë civile dhe shpirtin e njeriut. Sekrertarja Klinton shpalli krijimin e një fondi për të siguruar mbështetje ligjore dhe ndihma të tjera për organizatat jo-qeveritare që sulmohen nga qeveritë në mbarë botën. Shtetet e Bashkuara po ndihmojnë me 2 milionë dollarë në këtë fond. Presidenti Barack Obama gjithashtu lëshoi një deklaratë me rastin e 10 vjetorit të themelimit të Komunitetit të Demokracive, duke shprehur shqetësim në lidhje me përhapjen e kufizimeve për shoqërinë civile dhe përdorimin në rritje të ligjit për të frenuar lirinë në vend që t'a shtojnë atë.

XS
SM
MD
LG