Lidhje

Zemërimi prek shëndetin e zemrës

  • Astrit Lulushi

Zemërimi prek shëndetin e zemrës

Zemërimi prek shëndetin e zemrës

"Para se të nevrikoseni, mendoni për shëndetin tuaj". Ky është rekomandimi që bëjnë autorët e një studimi, ku thuhet se zemërimi mund të jetë i keq për shëndetin po aq sa niveli i lartë i kolesterinës dhe pirja e duhanit. Të gjithë kanë një pikë shpërthimi si në rastet kur një njeri mbetet i bllokuar në trafik, ndërsa koha kalon dhe ai/ajo duhet të jetë patjetër diku. Po kur në mes të punës bllokohet celulari a kompjuteri? Në raste të tilla, jo pak njerëz humbasin durimin e fillojnë të shajnë nga zemërimi, bërtasin, përplasin telefonin a kompjuterin apo të tjerë njësoj të pafajshëm.

Sipas një studimi, njerëzit që zemërohen shpejtë mund të jenë në rrezik të lartë për goditje në tru e sëmundje në zemër njësoj si ata që pijnë duhan ose që kanë nivel të lartë kolesterine.

Studimi morri në shqyrtim rreth 500 persona. Gjatë një periudhe 3 vjeçare, autorët e studimit vunë re se tek personat "gjaknxehtë", kishte më shumë gjasa që në arteret karotidë të vihej re një trashje. Arteret karotid janë ato që dërgojnë gjakun në tru dhe shpesh shihen si tregues për sëmundje të zemrës; sa më të trasha që bëhen aq më në rrezik është personi për t'u prekur nga goditje në zemër e në tru.

Për kontrollin e zemërimit, ekspertët rekomandojnë teknika frymëmarrjesh e meditime. Një fjalë popullore thotë - "kur je i zemëruar, numëro me vete deri në 10", ndërsa shkrimtari i njohur Mark Tuein thoshte - "kur je i zemëruar, sha pa zë".

Shpesh lindin debate rreth gjuhës plot sharje që përdoret nëpër filma. Disa thonë se ato duhet të ndalohen, pasi kanë ndikime në sjellje dhe edukatë. Ndërsa një shkrim botuar para disa kohësh në gazetën Tech, organ i Institutit Teknologjik të Masaçusetsit (MIT), thuhet se nëse fjalët e pahijëshme përdoren me inteligjencë (pa të keq), ato mund të vlejnë për shprehjen pa dhunë të zemërimit. Shoqëria e sotme është ndoshta ndër më të stresuarat se në çdo periudhë të historisë, prandaj, thotë gazeta Tech, eleminimi i rrugëve të shprehjes pa dhunë të zemërimit mund të jetë një recetë vetëm për më shumë stres, dhunë a kaos.

Protezë që zgjatet bashkë me kockën

Një pajisje e re mjekësore ndihmon një paciente me kancer në kockë. Një klinikë në Teksas ka shpikur një protezë e cila zgjatet me ndihmën e një aparati elektromagnetik. Kjo pajisje vlen veçanërisht për pacientë fëmijë si në materialin në vazhdim. 9 vjeçarja, Morgan LaRue kishte ëndërrat e saj. Ajo donte të luante baskeboll. Kjo ishte dëshira e saj deri vitin e kaluar kur u diagnostikua me kancer në kockë. Prej asaj kohe, mjekët filluan trajtimet me kimoterapi dhe operacion. Por nëse nuk i nënshtrohet një ndërhyrjeje tjetër, ajo ndeshet me gjasat për më shumë operime të tjera. Morgan duhet t'i nënshtrohet operimit çdo 6 muaj sepse proteza metalike e vendosur për të zevendësuar pjesën e këmbës, del jashtë përdorimit ndërsa kockat e saj rriten.

Dhe pajisja e re ofron një alternativë tjetër shumë më të mirë. Alec McKnight, autori i shpikjes, thotë se kjo pjesë metalike që përbën shtesën e kockës rritet krahas rritjes së konckës. Proteza e implantuar në këmbë mund të zgjatet pa ndërhyrje kirugjike sepse pajisja punon me një magnet. Brenda këmbës së Morgan është vendosur një magnet dhe një kuti ingranazhesh. Kur Morgan e vendos këmbën brenda këtij elektro-magneti në formë cilindri, atje krijohet një fushë magnetike e cila vë në lëvizje magnetin e vogël brenda këmbës, i cili vë në lëvizje ingranazhet që zgjasin protezën gradualisht. Për çdo 4 minuta që këmba mbahet në cilindër, proteza zgjatet 1 milimetër. Pacienti nuk ndjen asnjë dhimbje. Mjekët thonë se duke shmangur operimet e shpeshta që nevojiten në raste të tilla, pajisja e re i mundëson kësaj vajze të bëjë jetën që do, të merret me sport, të vrapojë e të ngasë biçikletën.

XS
SM
MD
LG