Lidhje

Artistët e sukseshëm në ndihmë të fëmijëve të varfër por me talent

  • Zëri Amerikës

Artistët e sukseshëm në ndihmë të fëmijëve të varfër por me talent

Artistët e sukseshëm në ndihmë të fëmijëve të varfër por me talent

Artistë në ndihmë të të varfërve

Përgatitja në kërcimin profesional është shpesh i papërballueshëm për fëmijët në komunitetet me të ardhura të ulta. Fabian Barnes, një ish kërcimtar me studion e shquar të Harlemit për Vallëzim, filloi një shkollë të tijën për të ndryshuar pikërisht këtë. Ai ofron klasa vere – zakonisht falas për studentë me talent dhe pasion.

Çdo verë, Instituti i Kërcimit në Uashington, mirëpret të rinj nga i gjithë qyteti për t’u trajnuar me kërcimtarë profesionistë. Fabian Barnes e filloi këtë program. Eksperienca e tij në kërcim i ndryshoi jetën duke e nxjerrë nga Seattle, në skenat më të famshme të botës.Shumica e studentëve këtu marrin bursë, bazuar në nevojat financiare. Barnes thotë se e filloi programin duke patur parasysh studentët e zonave të varfëra të qytetit.

Tradicionalisht, këta fëmijë nuk kanë mundësinë të kenë përvojën e një instituti kërcimi, në një akademi kërcimi. Barnes u rrit në një lagje të qytetit ku akademitë e kërcimit ishin të papërballueshme. Ai ishte 11 vjeç kur zbuloi pasionin që kishte për kërcimin. Ai thotë se shikon veten e tij tek këta studentë.

“Nga përvoja ime e di se kërcimi ishte ai që më ndihmoi të ndryshoja jetën dhe më dha karrierë – të njëjtën gjë shoh tek këta të rinj pasi isha në të njëjtën pozitë 15 vjet më parë”.

Nga ora 9 e mëngjesit deri në katër mbasdite, shkolla gumëzhin nga muzika dhe është e përfshirë nga energjia. Ndërsa disa nga studentët e vjetër kanë synimin për një karrierë, të rinjve thjesh iu pëlqejnë lëvizjet. Shumë nga këta kërcimtarë të rinj vijnë këtu vit pas viti.

Barnes e di se shumë fëmijë i tërheq kërcimi pasi ai i bën të ndjehen mirë. Por kërcimtari thotë se përfitimet janë më të thella se kaq. Disiplina dhe vendosmëria janë të integruara në kërcim

"Bëhet fjalë për t’u stërvitur derisa ta bësh siç duhet. Është një aftësi që arrihet me shumë mënyra. Vullneti të duhet si për në studio ashtu edhe për të bërë detyrat apo për të rregulluar shtëpinë. Duhet ta vazhdosh punën derisa t’ia dalësh mbanë."

Shumë nga studentët kanë nevojë më shumë sesa studioja. Kështu, programi ofron klasa për zgjidhjen e konflikteve si dhe për vlerat ushqimore. Rene Williams White, nënpresidente e bankës Sun Trust, i ndihmon studentët me njohuri për financat.

“Eshtë e rëndësishme të kesh njohuri rreth financave, vecanërisht për fëmijët e komuniteteve të varfëra. Ata duhet të kuptojnë se paratë nuk janë cdo gjë, por janë të nevojshme për të arritur disa nga gjërat që duan të arrijnë.”

Barnes ka ofruar këtë studio verore që kur filloi programin e tij në Uashington më shumë se 20 vjetë më parë. Duke parë pas, ai është krenar për atë që ka arritur.

"Ndjenja më e mirë për mua personalisht në këtë pikë, tani që nuk jam më kërcimtar profesionist është të shoh forcën që ka kërcimi për të ndryshuar jetët e të rinjve në të njëjtën mënyrë sic ma ndryshoi edhe mua."

XS
SM
MD
LG