Lidhje

Gjendja në Mitrovicë e qetë pas përleshjeve të mbrëmshme


Gjendja në Mitrovicë e qetë pas përleshjeve të mbrëmshme
Gjendja në Mitrovicë e qetë pas përleshjeve të mbrëmshme

Autoritetet e rendit në Kosovë, thonë se gjendja në Mitrovicë është e qetë pas përleshjeve të mbrëmshme ndërmjet grupeve të shqiptarëve dhe serbëve. Pjesëtarë të policisë së Misionit të Bashkimit Evropian dhe të forcave paqeruajtëse të NATO-s janë vendosur në urën kryesore dhe në zonat e banuara me popullatë të përzier me qëllim të parandalimit të incidenteve të tjera.

Zyrtarë të Policisë së Kosovës thonë se incidenti i mbrëmshëm filloi kur grupe shqiptarësh të rinj nisën të kremtojnë fitoren e Turqisë ndaj Serbisë, ndërsa grupet e serbëve ishin mbledhur për të ndjekur ndeshjen e basketbollit ne kafenetë në afërsi të urës mbi lumin Ibër, që shënon edhe vijën ndarëse të qytetit.

Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë grupet e serbëve dhe shqiptarëve që hodhën gurë mbi njëri tjetrin pas humbjes së Serbisë nga Turqia në kampionatin botëror të basketbollit.

Policia thotë se gjatë kësaj situate të krijuar, veç gurëve the gjësendeve të tjera të forta të përdorura nga pjesëmarrësit në incident, është raportuar edhe për të shtëna me armë zjarri nga lokacione të ndryshme.

Zyrtarë të EULEX-it thanë se një pjesëtar i xhandarmërisë franceze është plagosur në këmbë, por është jashtë rrezikut për jetën. Policia nuk arriti të vërtetojë pohimet e mjekëve serb në veri se një i ri është plagosur nga këto të shtëna, ndërsa të paktën edhe tre të tjerë kanë pësuar plagë nga gurët. Policia thotë se një pjesëtar i tyre ka pranuar lëndim të lehtë trupor si rezultat i goditjes me gurë si dhe janë dëmtuar edhe katër makina të saj.

Incidenti i mbrëmshëm në Mitrovicë është dënuar nga autoritetet vendase e ndërkombëtarë në Kosovë.

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, ka dënuar ashpër incidentin e mbrëmshëm në Mitrovicë duke thënë se ngjarje të tilla dëmtojnë imazhin e Kosovës dhe u shërbejnë vetëm atyre që janë kundër paqes, stabilitetit dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim etnie e besimi.Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, ka shprehur keqardhje për incidentin e mbrëmshëm në Mitrovicë duke shtuar se ky incident nuk e kërcënon paqen dhe krijimin e një shoqërie multietnike në vend.

Ndërkaq, Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Polici e Drejtësi Yve de Kermabon ka thënë se EULEX-i nuk do të tolerojë sjellje të tilla të paligjshme dhe është i gatshëm të marrë të gjitha masat e duhura, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, për të siguruar që të reagohet fuqishëm nëse ngjarje të tilla përsëriten. Zoti Kermabon ka thënë se këto akte nuk kanë vend në asnjë shoqëri demokratike dhe si të tilla duhen dënuar nga të gjithë.

Incidentin e mbrëmshëm e ka dënuar edhe Komandanti i forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë gjenerali Erhard Byhler. Përmes një komunikate për opinion ai ka thënë se forcat paqeruajtëse nuk do të tolerojnë kurrfarë dhune në Kosovë duke shtuar se KFOR-i është gjithnjë i gatshëm të veproj në çfarëdo situate.

Qyteti i Mitrovicës i ndarë në dy pjesë, në veriun me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare, vazhdon të jetë skenë e tensioneve të larta dhe ndarjeve të thella etnike.

XS
SM
MD
LG