Lidhje

Refugjatë të rinj irakianë në SHBA

  • Zëri Amerikës

A mosque in Dearborn, Michigan

A mosque in Dearborn, Michigan

Nga fundi i vitit të ardhshëm shteti i Miçiganit planifikon pritjen e më shumë se 7 mijë refugjatëve të rinj irakianë. Ky grup do t’i bashkohet më shumë se 30 mijë refugjatëve të tjerë irakianë të cilët jetojnë në këtë shtet. Ky influks refugjatësh vjen në një kohë kur Miçigani përballet me një papunësi prej më shumë se 14 përqindësh, një nga shifrat më të larta të papunësisë në vend.

Saheb Shaker ishte aktor i njohur televiziv në Irak. Ai ka patur role kryesore në dhjetra programe televizive. Ai gjithashtu ishte udhëheqës i emisioneve të lajmeve në radio Irakun dhe një kanal televiziv. Zoti Shaker thotë se një kronikë që ai kishte pregatitur në vitin 2005 mbi kushtet e vështira të jetës në Irak, tërhoqi vëmendjen e zyrtarëve irakianë.

“Dikujt që punonte në qeveri nuk i kishin pëqyer intervistat që bëra më njerëzit. Kështu që dikush më tha se duhet ta iki nga Iraku sepse do më vrisnin.”

Në të njejtën ditë që ai mori kërcënimin, iku nga Iraku dhe nuk u kthye atje. Më vonë familja e tij iku në Siri. Ai iu bashkua atyre në kampin e refugjatëve në Siri dhe pastaj në vitin 2008 erdhi në Shtetet e Bashkuara. Që atëherë, ai ka hasur në vështirësi për të gjetur një punë të rregullt në Dearborn të Miçiganit.

“Jeta është e vështirë për refugjatët këtu.”

Zoti Shaker dhe familja e tij përfaqësojnë valën e fundit të refugjatëve që kanë ardhur në Miçigan. Që nga viti 1990, irakianët kanë lëvizur drejtë Dearborn-it dhe Detroit-it, e cila është qendra më e madhe e komunitetit arabo-amerikan në Shtetet e Bashkuara. Me xhamia dhe kisha, restorante të Lindjes së Mesme, dhe anëtarë të komunitetit të cilët shpesh flasin gjuhën e njejtë, ky vend është përshtatshëm për ta. Por kohët kanë ndryshuar. Kompanitë e mëdha amerikane të prodhimit të makinave kanë qendrat e tyre në Miçigan, dhe kur shitjet e makinave pësuan rënie, linjat e prodhimit u mbyllën, dhe shumë punonjës humbën vendet e punës. Miçigani tani ka nivelin më të lartë të papunësisë në vend.

Abdallah Boumediene është drejtor i operacioneve në Qendrën e Komunitetit Arab për Ekonomi dhe Shërbime Sociale, e njohur me emrin ACCESS. Kjo qendër ofron shërbime të ndryshme për refugjatët. Zoti Boumediene tha se rënia e ekonomisë është veçanërisht e vështirë për irakianët të cilët kanë ardhur në Miçigan pas ndërhyrjes ushtarake në vendin e tyre më 2003. Ai thotë:

“Ata kanë përgatitje të mirë profesionale, janë të arsimuar, kanë shpresa të mëdha por shumica e tyre janë të zhgënjyer. Ne kemi një departament për shëndetin mendor ku i kontrollojmë njërëzit që vuajnë nga depresioni për shkak të vështirësive për të mbijetuar.”

Rreth 7 mijë refugjatë tjerë pritet të shkojnë atje vitin tjetër, duke e shtuar numrin e njerëzve që kërkojnë punë. Zoti Boumediene thotë se ekziston edhe një migrim dytësor që e zvogëlon tregun e punës në këtë shtet.

“Bëhet fjalë për irakianë të cilët fillimisht janë vendosur nëpër shtete tjera si Idaho, Oklahoma apo shtete tjera, dhe pastaj ata kthehen në Miçigan sepse këtu ka një komunitet të madh arab, kanë të afërmit e tyre dhe ndihen më mirë. ”

Megjithëse gjendja e papunësisë në Miçigan është e zymtë, Saheb Shaker ka një mendim pozitiv për të ardhmen.
“Unë mendoj për të ardhmen e fëmijëve. Fëmijët e mij tani janë të lumtur në Shtetet e Bashkuara."

Zoti Shaker thotë se edhe nëse ai nuk është i njohur në Shtetet e Bashkuara dhe është i papunë, jeta e tij në Dearborn është më e mirë se sa jeta e tij në Irak nën regjimin e Sadam Hussein-it.

XS
SM
MD
LG