Lidhje

2011 ishte një vit rekord për motin ekstrem

  • Rosanne Skirble

2011 ishte një vit rekord për motin ekstrem

2011 ishte një vit rekord për motin ekstrem

Vetëm në Shtetet e Bashkuara, fatkeqësitë e shkaktuar nga moti prekën miliona njerëz, rreth një mijë veta humbën jetën, më shumë se 8 mijë u lënduan ndërsa humbjet ekonomike arritën në 52 miliardë dollarë.

Moti ekstrem solli shkatërrime të mëdha kudo në Shtetet e Bashkuara gjatë vitit 2011. Për zotin Bill Wing, shkatërrimet nisën 12 muaj më parë, në ditën e Vitit të Ri, kur ai pa me sy dëmet nga një uragan që preku Cincinnatin në shtetin Arkansas.

"Ne ishim mu në rrugën ku kaloi uragani. E ndjenim se si gjithçka dridhej nga era e fuqishme." - kujton ai

Kjo ishte njëra nga 1.600 tornadot që prekën vendin në vitin 2011. Gjatë vitit, 12 fatkeqësi natyrore shkaktuan 1 miliardë dollarë dëme ekonomike, duke vendosur një rekord të ri, thotë Chris Vaccaro, zëdhënës i Shërbimit Kombëtar të Motit:

"Këtë vit kemi parë rekorde historike në pothuajse të gjitha kategoritë e motit. Pra, stuhi dëbore dhe uragane, përmbytje dhe thatësira, në të gjitha këto kategori, ky vit renditet në tre më të rëndët e regjistruar ndonjëherë. "

Thatësira dhe zjarret në Teksas, New Mexico dhe Oklahoma ishin së bashku fatkeqësitë më të kushtueshme të vitit 2011, duke shkaktuar 6 deri në 8 miliardë dollarë dëme.

Vaccaro thotë se ndër shkaktarët kryesorë këtë vit ishin sidomos sistemet ciklike të motit si La Nina në Paqësorin Lindor.

"Kjo i ka ndryshuar standardet tona për stuhitë. Edhe në Arktik pati një sistem të quajtur Oshilacioni Arktik. Ky ishte një faktor i madh në dimër dhe pranverë, sepse lejoi ajrin e ftohtë të kalojë në Shtetet e Bashkuara dhe kjo shkaktoi stuhitë e dëborës dhe uragane."

Vaccaro thotë se nuk ka asnjë provë që të lidhë këto ngjarje me ngrohjen globale, por ekstremet e motit këtë vit janë në përputhje me atë që ekspertët e klimës parashikojnë për periudhën afat-gjatë.

"Me fantazmën e ngrohjes globale rriten gjasat për të patur më shumë valë të nxehti dhe thatësira më të zgjatura si dhe zjarre më të mëdha apo zona me përmbytje ekstreme."

Peter Altman, drejtor i një fushate për Klimën dhe Ajrin e Pastër bën thirrje që të merren masa për të ulur emetimet e gazrave që çojnë në ndryshime klimatike dhe për të zbutur ndikimin e tyre.

"Duhet të përgatitemi më mirë për të përballuar raste të tilla të motit ekstrem: thatësirat, zjarret, valët e të nxehtit, përmbytjet, dhe kjo do të thotë të sigurojmë atë lloj ndihme shëndetësore që duhet atyre që vuajnë pasojat."

Ekstremet e motit gjatë vitit 2011 mund të jenë një "normale re," thotë Chris Vaccaro i Shërbimit Kombëtar të Motit. Agjencia po ndërmerr hapa për të përgatitur vendin për fatkeqësitë e ardhshme me anë të ngritjes së një rrjeti partnerësh në sektorin publik dhe privat.

XS
SM
MD
LG