Lidhje

22 prilli, Dita e Tokës

  • Zëri Amerikës

Mesazhin se e ardhmja e planetit varet nga vetë njerëzit po e ngrenë sot me të madhe aktivistë për mjedisin në skaje të ndryshme të globit.

Organizatorët e Ditës së Tokës sivjet kanë bërë thirrje për një miliard akte të gjelbra. Mënyrat se si mund të angazhohet secili janë nga më modestet e deri tek më të komplikuarat - disa kanë zgjedhur të fikin dritat e shtëpisë, ka të tjerë që kanë premtuar që sot të mos përdorin makinën, por vetëm transportin publik, ndërsa ka plot vullnetarë që kanë marrë përsipër projekte të mëdha për pastrime në parqe e mjedise publike.

Dita e Tokës ka një histori 42 vjeçare. Që nga momenti kur u shënua për herë të parë në vitin 1970, ka pasur ndryshime madhore në përpjekjet për mbrojtjen e mjedisit.

Në vendet e zhvilluara, oxhaqet e uzinave që ndotnin atmosferën dhe makinat që mbushnin rrugët me tym të zi i takojnë tani së kaluarës. Këtu në Shtetet e Bashkuara ekziston Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit, e cila vendos standarde të forta për mbrojtjen e cilësisë së ujit dhe ajrit. Por ndërkohë që mbrojtja e mjedisit po përqafohet nga një numër gjithnjë e më i madh njerëzish në vendet e zhvilluara, bota në zhvillim po shndërrohet tani në ndotësin më të madh të globit.

Vende me zhvillim të shpejtë industrial si për shembull Kina përdorin teknologji të vjetëruara që po dëmtojnë dukshëm ambjentin. 42-vjet pas krijimit të Ditës së Tokës, fushata për mbrojtjen e mjedisit mbetet po aq aktuale sa në momentin kur u shënua për herë të parë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG