Lidhje

5 vjet pas çështjes Ivezaj: Si u sensibilizuan amerikanët për Kosovën


5 vjet pas çështjes Ivezaj: Si u sensibilizuan amerikanët për Kosovën
5 vjet pas çështjes Ivezaj: Si u sensibilizuan amerikanët për Kosovën

Komuniteti shqiptar i Miçiganit po përkujton 25 vjetorin e një ngjarjeje që pati rëndësi për sensibilizimin e zyrtarëve dhe të opinionit amerikan lidhur me Kosovën. Në pranverë të vitit 1981, shqiptarët e Amerikës zhvilluan një demonstratë në Uashington në mbështetje të Kosovës. Pesë vjet më vonë, në vitin 1986, kur njëri prej pjesëmarrësve të protestës, Pjetër Ivezaj, u kthye në Mal të Zi, ai u arrestua nga autoritetet jugosllave. Çështja Ivezaj bëri bujë në Shtetet e Bashkuara dhe solli disa rrjedhoja që komuniteti shqiptar nuk i kishte parashikuar.

Më 3 tetor 1986, Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se Jugosllavia kishte arrestuar një shtetas amerikan 30-vjeçar nga Sterling Heights i Miçiganit, i cili kishte shkuar për të vizituar të afërmit në Mal të Zi. Në njoftim thuhej se zoti Pjetër Ivezaj, punonjës i sistemit të shkollave në Detroit, akuzohej për pjesmarrje në një organizatë që zhvillonte veprimtari kundër Jugosllavisë.

Gjyqi kundër tij filloi po atë ditë në Mal të Zi.

Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, William Broomfield deklaroi për median se zoti Ivezaj ishte arrestuar për arsyen e vetme se kishte marrë pjesë në një demonstratë përpara ambasadës jugosllave në Uashington.

Arrestimi i Pjetër Ivezajt nga autoritetet e ish-Jugosllavisë shërbeu si një pikë kthese për komunitetin shqiptar.

Mes shqiptarëve të Amerikës nisi një lëvizje për sensibilizimin e zyrtarëve amerikanë lidhur me shtypjen e shqiptarëve në ish Jugosllavi dhe sidomos në Kosovë.

Ekrem Bardha ishte njëri nga veprimtarët aktivë të komunitetit shqiptar të Miçiganit, i cili, duke shfrytëzuar njohjet me zotin Broomfield, iu drejtua atij për ndihmë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Bardha e përshkruan kështu shqetësimin e sinqertë që tregoi zoti Broomfield:

“Broomfield ishte shumë i mërzitur për këtë rast, pra që një shtet si Jugosllavia, një shtet i favorizuar për Amerikën, të dënonte një shtetas amerikan padrejtësisht. Roli që luajti kongresisti Broomfield ishte diçka shumë e veçantë. Por ai pati edhe ndihmën e kolegëve të tij. Broomfield e dinte mirë situatën në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Kolegët e besuan dhe ai menjëherë organizoi tre seanca klu kërkoi masa të rrepta për të prerë marrëdhëniet diplomatike dhe tregtare me ish Jugosllavinë.”

Gjergj Ivezaj, Kryetar i shoqatës “Malësia e Madhe” në Detroit thotë se arrestimi i Pjetër Ivezajt shkaktoi protestë tek shqiptarët, sepse ai nuk kishte kryer ndonjë vepër penale:

“Pjetër Ivezaj nuk u arrestua për ndonjë vepër penale në Shtetet e Bashkuara por për faktin se ushtroi të drejtën e tij me kushtetutë, pra vetëm të protesojë dhe të kërkojë të drejta demokratike që atëhere u mohoheshin shqiptarëve të Kosovës. “

Pas ndërhyrjes së fuqishme të kongresistëve pranë Departamentit të Shtetit, autoritetet jugosllave u detyruan ta lirojnë shumë shpejt zotin Ivezaj.

“Shtetet e Bashkuara e detyruan me ultimatum qeverinë jugosllave që ta lirojnë zotin Ivezaj brenda pak ditësh. Kjo për arsye se u punua shumë për informimin e opinionit amerikan. Shumë politikanë amerikanë filluan ta kuptojnë se ku ishte problemi, sepse deri në atë kohë, e vërteta për shqiptarët ishte e mbuluar me një pluhur propagande nga ana e ish Jugosllavisë.”

Më 10 tetor 1986, Senatori i Miçiganit, Carl Levin dhe kongresisti William Broomfield njoftuan se Jugosllavia do të lironte brenda 24 orësh Pjetër Ivezajn dhe do ta lejonte të kthehej në Shtetet e Bashkuara.

Zoti Bardha thotë se incidenti tregoi se sa shumë mund të bënin shqiptarët nëse vepronin të bashkuar për çështjet e tyre. Ai e quan çështjen Ivezaj një rast historik.

Zoti Gjergj Ivezaj mendon se incidenti solli disa rrjedhoja të paparashikuara për shqiptarët:

“Shqiptarëve filloi t’u kthehet besimi i mëparshëm se kishin një mik tek Shtetet e Bashkuara. Diaspora krijoi një kurajo tek vetja se mundi i tyre nuk po shkonte kot por po merrej parasysh dhe mund të kishte ndikim.”

XS
SM
MD
LG