Lidhje

Thaçi: Në veri ende ka elementë që duan trazira

  • Ilir Ikonomi

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i cili ndodhet në Nju Jork për takime me udhëheqës ndërkombëtarë, i tha mbrëmë Zërit të Amerikës se zgjedhjet komunale të 3 nëntorit do të hapin një kapitull të ri për normalizimin e plotë të gjendjes në veriun problematik të vendit. Zoti Thaçi i tha kolegut tonë Ilir Ikonomi, se kushtet për zgjedhje në veri ekzistojnë, pavarësisht se ka elementë që, siç u shpreh ai, kërkojnë trazira dhe përpiqen të frikësojnë qytetarët.

Në komentet që bëri për Zërin e Amerikës, Kryeministri Hashim Thaçi tha se dëshironte të na jepte një lajm të mirë, se kishte marrë personalisht konfirmim për njohje të reja të shtetit të Kosovës.

“Sot është konfirmuar njohja edhe prej dy vendeve të reja, nga shteti i Grenadës dhe nga kryeministri i Libisë. Në dy takimet që kam zhvilluar janë konfirmuar njohjet edhe zyrtare prej këtyre dy shteteve. Deri tani Kosova është njohur nga 103 vende dhe presim edhe të tjera në ditët e ardhshme,” tha Kryeministri Thaçi.

Por qeveria e zotit Thaçi përballet me një sfidë të vështirë, zgjedhjet komunale në veri, të cilat janë pjesë e zbatimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë të arritur në muajin prill në Bruksel.

“Ka kundërshtime, por ka edhe angazhime për një konkurrencë të shëndoshë politike. Për herë të parë po organizohen zgjedhje lokale në veri të vendit, ku edhe ato katër komuna do të integrohen në Kosovë dhe ata qytetarë të Kosovës do të marrin pjesë në zgjedhje për herë të parë sipas standardeve evropiane dhe në përputhje të plotë me legjislacionin kosovar. Jam shumë optimist se pas 3 nëntorit do të hapet një kapitull i ri për Kosovën, kapitulli evropian, një kapitull i normalizimit të plotë të gjendjes në veri,” tha Kryeministri Thaçi.

Por vrasja e një pjestari të Eulex-it kohët e fundit në veri, i ka shtuar shqetësimet se gjendja atje mund të mos jetë e përshtatshme për zgjedhje. Zoti Thaçi tha se nuk mendon kështu:

“Në veri janë të përshtatshme kushtet për zgjedhje por ende ka elementë që nuk duan zgjedhje, ende ka elementë që duan trazira, që duan të frikësojnë qytetarët. Por atje do të ngadhënjejë demokracia, do të ketë zhvillim ekonomik, investime dhe do të hapet një kapitull i ri, kapitulli evropian,” tha Kryeministri Thaçi.

Në komentet për Zërin e Amerikës, zoti Thaçi nuk u vuri rëndësi disa lëvizjeve brenda partisë së tij, që kanë çuar në nisma të reja politike, të cilat po mbështeten edhe nga njerëz, më parë shumë të afërt me të, si kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe ish zëvendësi i tij, Fatmir Limaj. Zoti Thaçi tha se partia e tij do të arrijë fitore bindëse në zgjedhje:

“Konkurrenca e vlerave - dhe Kosova tashmë është mësuar me këtë konkurrencë tash 15 vite - i ka dhënë një mesazh të plotë shëndetit të politikës kosovare, prandaj Partia Demokratike e Kosovës është dhe mbetet partia më e madhe dhe partia fituese në zgjedhjet e ardhshme,” tha Kryeministri Thaçi.

I pyetur nëse disa prej kandidatëve të partisë së tij që po hetohen për vepra të ndryshme, duke përfshirë akuza për korrupsion, mund ta dëmtojnë partinë e tij, zoti Thaçi tha:

“Unë nuk dëshiroj të përzihem me sistemin e drejtësisë. Ka kandidatë të partive të ndryshme, qoftë për asambletë apo për komunat që kanë qenë të trajtuar nga organet e drejtësisë.”

Ai tha se partitë politike kanë angazhimet dhe vendimet e veta, ndërsa drejtësia ka punën e vet dhe askush nuk është mbi ligjin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG