Lidhje

Gjendja e grave dhe vajzave në Shqipëri


Aleanca Gjinore për Zhvillim publikoi një studim në Tiranë në të cilin gjendja përshkruhet sërish e rëndë për sa i takon dhunës në familje.

Aleanca Gjinore për Zhvillim publikoi një studim në Tiranë mbi gjendjen e grave dhe vajzave. Gjendja përshkruhet sërish e rëndë për sa i takon dhunës në familje. Ekspertët mendojnë se punësimi dhe fuqizimi i grave është mënyra më e mirë për t'i mbrojtur ato dhe të drejtat e njeriut.


Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim publikoi sot rezultatet e një studimi mbi dhunën në familje dhe mundësitë ekonomike të viktimave të saj. Për 18 muaj rresht projekti i shtrirë në 7 qytete të veriut të Shqipërisë zbuloi atje mungesa e vështirësi të shumta të të drejtave të grave dhe propozoi masa kundër asaj gjendje të rëndë, për fuqizimin e gruas, sidomos për ato që janë viktima të dhunës në familje. Drejtuesja e Alencës Gjinore për Zhvillim, Mirela Arqimandriti, thotë se gratë nuk kanë informacion mbi të drejtat e tyre në familje dhe në sipërmarrjet ku punojnë. Në fshatra ato nuk kanë pronësi mbi tokat bujqësore dhe në qytete ato shpesh bien pre e kontratave për të cilat nuk janë vënë në dijeni. Por ajo theksoi se indiferenca e shoqërisë është pengesa më e madhe.

Studimi nxori se gratë kanë frikë të kërkojnë të drejtat e tyre në vendet e punës, për shkak se e humbin atë. Gratë e anketuara ndjehen të përjashtuara nga politikat sociale të bashkive dhe komunave. Gratë nuk gjenjnë dot punë, se puna gjendet me mik, ndaj edhe këtu janë burrat që kanë më shumë mundësi punësimi me njëri tjetrin. Ministri i mirëqenies sociale Erjon Velija thotë se ndihma ekonomike nga shteti këtej e tutje do të shkojnë më lehtë tek zonjat, që kujdesen për shtëpinë për t'i fuqizuar ato, por kryesorja është që të ndalet cikli i kulturës së dhunës.

Studimi i Aleancës Gjinore për Zhvillim zbuloi se asgjë nuk është bërë për të mbështetutr gratë e divorcuara dhe me fëmijë pa asnjë mbështeteje financiare nga ish burri. Mungojnë statistikat mbi gjendjen ekonomike apo shëndetësore të tyre dhe të fëmijëve. Një nga gjetjet e studimit është se gratë profesioniste pushohen nga puna për motive politike ose për arsye të tjera diskriminuese, dhe vendet e tyre në zyra i zënë militantë burra. Fuqizimi ekonomik i grave vlerësohet aktualisht nga studime vendase dhe botërore si një nga mjetet e pwrshtatshme për ngritjen e sigurisë së tyre dhe cilësisë për jetën e tyre dhe të fëmijëve. Dhuna në familje ndaj grave dhe fëmijëve është një dukuri e përhapur në Shqipëri, dhe përballë saj nënat dhe vajzat janë të pafuqishme jo vetëm fizikisht, por edhe ekonomikisht, sepse janë të varura nga dhunuesit e tyre për strehim dhe ushqim dhe nuk asnjë burim parash që mbulojë nevojat e tyre për sadopak jetë të mëvetësuar.

XS
SM
MD
LG