Lidhje

Arvizu: Ndryshimi i rregullave në mes të procesit, i gabuar


Ambasadori i SHBA në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, deklaroi sot se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është një institucion i mandatuar dhe i ndërtuar ligjërisht si duhet, dhe ka përgjegjësinë kryesore për organizimin e zgjedheve të 23 qershorit.

“Duhet të respektohet pavarësia e këtij institucioni. - tha ambasadori Arvizu. - KQZ duhet të jetë e lirë nga ndërhyrjet e ndonjë individi apo ndonjë institucioni, dhe kjo përfshin edhe Parlamentin e Shqipërisë”.
Ai vlerësoi se KQZ ka kapacitetin dhe përgjegjësinë për të trajtuar çështje të administrimit zgjedhor, duke përfshirë edhe përbërjen e komsioneve zonale tani që LSI kaloi nga koalicioni qeveritar në atë opozitar.
“KQZ duhet të lejohet të bëjë punën e vet. Ka nevojë për diskutime dhe negocime. Thirrja e jonë dhe e ndërkombëtarëve është që qeveria dhe opozita të mos dëmtojnë më veprimet e tyre besimin e publikut tek procesi zgjedhor. Ndryshimi i rregullave në mes të lojës, në mes të procesit, është rruga e gabuar për të sjellë besimin e qytetarëve tek procesi” - tha ambasadori amerikan Arvizu.
Ai i bëri këto komente ndërkohë që parlamenti shqiptar po debaton në seancë plenare mbi kërkesën e Partisë Demokratike për të zëvendësuar në KQZ një anëtar të sjellë nga LSI-ja me një anëtar nga Partia Republikane, tani që LSI u largua nga koalicioni qeveritar.
LSI thotë se komisionerët, pavarësisht se kush i propozon kanë mandat 6-vjeçar, ndërsa PD thotë se largimi i LSI në opozitë bëri që KQZ dhe komisionet zonale të kontrollohen aktualisht nga opozita, ndërkohë që përgjegjësinë për mbarëvajtjen e zgjedhjeve e mban qeveria.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG