Lidhje

Arvizu: Nacionalizmi lojë e rrezikshme


Ambasadori amerikan në Tiranë “po përdoret për qëllime politike. SHBA nuk mbështet ndryshimin e kufijve”

Në Tiranë ambasadori i Shteteve të Bashkuara Aleksandër Arvizu paralajmëroi sot se përdorimi i mesazheve nacionaliste për qëllime politike është një lojë e rrezikshme dhe se retorika e veprimet nacionaliste mund të destabilizojnë potencialisht Ballkanit dhe të dëmtojnë imazhin e Shqipërisë. Ai i bëri thirrje qeverisë që të jetë e qartë në ruajtjen e marrëdhënieve të mira me fqinjët duke saktësuar se zgjedhjet nuk duhet të jenë justifikim për të dërguar mesazhe të përziera. Zoti Arvizu tha prerë se Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin ndryshimin e kufijve kombëtarë në Ballkan.


Konferenca e organizuar nga Këshilli i shqiptar Atlantikut për cështjet e sigurisë në Ballkan ishte një rast ideal për ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu për të komentuar një temë që ka nxehur debatin jo vetëm në Shqipëri, por që ka acaruar dhe marrëdhëniet me disa nga fqinjët e saj. Retorika e fortë nacionaliste që ushqeu lindjen e Aleancës Kuqezi, por më së shumti përdorimi i toneve nacionaliste nga kryeministri Sali Berisha në vigjilje të festimeve për 100 vjetorin e pavarësisë e më pas, shihet si një lojë me zjarrin nga ambasadori amerikan: “Kohët e fundit, aktorë politikë të ndryshëm në Shqipëri kanë kërkuar të përdorin mesazhe negative të fokusuara në etnicitetin për qëllime të ngushta politike. Kjo është një lojë e rrezikshme. Tensionet etnike, nëse zgjohen njëherë, janë të vështira, nëse mos të pamundura për t’u parashikuar ose kontrolluar. Është e domosdoshme që personat përgjegjës të përmbahen nga ndezja e ndjenjave etnike, si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë”.

Retorika dhe veprimet nacionaliste, përveçse mund të destabilizojnë potencialisht rajonin, e dëmtojnë reputacionin e Shqipërisë, tha ambasadori Arvizu, ndërsa nënvizoi se Shtete e Bashkuara nuk mbështesin një ndryshim kufijsh: "Më lejoni të jem i qartë si kristali, absolutisht i qartë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e mbështesin ndryshimin e kufijve kombëtarë në rajonin e Ballkanit. Çdo përpjekje për ta bërë këtë, është kundërproduktive dhe destabilizuese".

Kryeministri Berisha, jo më larg se dje saktësoi se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale, ndërsa i mëshoi idesë se albanofobia në rajon është ende një problem. Ai tani po përdor sloganin të Bashkuar me njëri tjetrin të bashkuar me Europën. Por sipas ambasadorit amerikan mesazhet duhet të jenë të qarta: "Duke parë rolin pozitiv që Qeveria e Shqipërisë ka luajtur tradicionalisht në ruajtjen e marrëdhënieve të mira me fqinjët e saj, nxisim drejtuesit e saj që të jenë të qartë në këtë element. Zgjedhjet nuk duhet të jenë një justifikim për të dërguar mesazhe të përziera".

Sipas ambasadorit Arvizu “fjala për një “Shqipëri të Madhe” të rreme është një shpërqendrim nga problemet shumë reale me të cilat përballet Shqipëria sot, dhe votuesit nuk duhet të bien pré e kësaj”, ndërsa theksoi se edhe “thirrja e fundit nga Aleanca Kuq e Zi për referendumin për bashkimin Shqipëri-Kosovë nuk i shërben as aspiratave të integrimit Euro-Atlantik të vendit, dhe minon përparimin e arritur për stabilitetin dhe paqen rajonale, dhe lëvizjen drejt integrimit europian”

Retorika nacionaliste alarmoi fqinjët juglindor të Shqipërisë. Presidenti maqedonas dhe ministri i jashtëm grek anulluan pjesmarrjen në festimet e 28 nëntorit. “Kjo mund të duket si një pasojë e vogël, për disa ndoshta si ato shënimet në fund të faqes, por - nenvizoi zoti Arvizu - është diçka që frenon marrëdhëniet, pengon komunikimin dhe bashkëpunimin dhe bën që zgjidhja e çështjeve të pazgjidhura të bëhet shumë më e vështirë. Dhe ne, Shtetet e Bashkuara, i kushtojmë vëmendje kësaj".

Këto zhvillime kanë tërhequr edhe vëmendjen e Brukselit. Si në përfundimet e Këshillit të ministrave të Bashkimit europian ashtu dhe në rezolutën e djeshme të parlamentit europian u përfshinë paragrafë në të cilët Shqipërisë i kërkohet të evitojë deklarata që shkojnë kundër marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
XS
SM
MD
LG