Lidhje

Korrupsioni rrezikon sigurinë kombëtare


Qeveria shqiptare dhe qendra europiane e studimeve “Marshall” organizuan sot një konferencë të përbashkët, ku u theksua se suksesi në luftën kundër korrupsionit është element shtesë i sigurisë kombëtare. Ministria e mbrojtjes paraqiti masat dhe nismat ligjore në luftën kundër korrupsionit, duke rritur transparencën me buxhetin e mbrojtjes. Ndërsa ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu u shpreh se korrupsioni është kërcënimi më i madh i sigurisë së Shqipërisë.

“Korrupsioni përmendet 14 herë në strategjinë e sigurisë. Korrupsioni në rajon është një shqetësim, madje kërcënim për gjithë aleatët dhe partnerët tanë në Ballkan” - tha ambasadori Arvizu.

Ai theksoi se gjatë kohëve të fundit janë ndërmarrë hapa kundër korrupsionit në Shqipëri, por duhet thelluar hetimi financiar, ndërsa miqtë e Shqipërisë theksuan rëndësinë që ka kjo luftë ndaj korrupsionit, e cila do të shpejtojë integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

“Lufta ndaj korrupsionit kërkon përkushtim pasionant dhe qasje metodike, reforma dhe rishikim të ligjeve në bashkëpunim midis të gjithë aktorëve. është tejet jetike që të shmanget perceptimi se lufta ndaj korrupsionit është e politizuar” - tha ambasadori i SHBA-ve, Arvizu. Sipas tij, duhen larguar të gjitha pengesat dhe të përshpejtohen të gjitha masat në këtë drejtim, sepse është koha që të gjithë shqiptarët të veprojnë për interesat kombëtare. Ambasadori Arvizu i deklaroi kryeministrit Rama mbështetjen e plotë të SHBA ndërsa qeveria shqiptare ndërmerr këtë betejë shumë të rëndësishme.

Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se korrupsioni në administratë mund të luftohet vetëm me modernizimin e saj. Ai theksoi se nëpunësit nuk mund të marrin rryshfet për një shërbim publik, sepse kjo është puna e tyre. Korrupsioni largohet atëherë kur meritokracia sjell nëpunës të aftë, dhe ata japin një shërbim standard, tha zoti Rama, duke renditur shumë raste nga arsimi dhe fusha të tjera, e në fund u ndal tek korrupsioni në sistemin e drejtësisë, i cili, sipas tij, është më i korruptuari në Europë.

Rastet e hetuara për korrupsion janë rritur 21 për qind, rase të dërguara në gjykatë për korrupsion janë mbi 70 për qind, 150 për qind më shumë persona të dënuar për akte korruptive nga gjykata. Zoti Rama tha se modernizimi i drejtësisë do të sjellë rezultate të qëndrueshme dhe afatgjata, ndërsa rezultatet e shpejta vijnë nga dënimi i gjyqtarëve të korruptuar.

Menjëherë pas kësaj konference opozita shprehu skepticizmin për luftën ndaj korrupsionit. PD deklaroi se kryeministri Rama është nxitësi kryesor i korrupsionit, sepse ai nuk zbaton vendimet e gjykatave, sepse ka bërë të paktën 1400 tendera me prokurim të drejtpërdrejtë, dhe sepse ka punësuar dhjetëra persona me precedentë penalë, dhe votat blihen me lekë. Polemikat për anti-korrupsionin vazhdojnë gjatë në skenën politike, ndërsa ende nuk shihen dënime domethënëse të zyrtarëve të lartë për korrupsion.


XS
SM
MD
LG