Lidhje

Greva e urisë në ditën e 18


"Nevojitet dialogu midis palëve të përfshira”, - tha ambasadori Sekui.

Greva e urisë së 25 ish të burgosurve politikë të diktaturës komuniste, e cila kulmoi dje me vetësakrifikimin e kryetarit të saj, Gjergj Ndreca, sot kaloi ditën e 18. Në spitalin ushtarak mjeku Ilir Nezha pohoi se “gjendja e tij shëndetësore ka fituar qëndrueshmëri dhe plagët e shkallës së dytë të rrezikut janë reduktuar nga 40 për qind në 30-35 për qind”.

Kryetari i grevës së urisë, Gjergj Ndreca, leu veten me benzinë dhe u përfshi dje në mëngjes nga flakët, por mjekët, grevistët dhe policia ndërhynë dhe i shpëtuan jetën.



Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu e vizitoi Ndrecën në spital dhe takoi mbrëmë grevistët e urisë, të cilëve u kërkoi të mos dëmtojnë veten e tyre me akte të tilla, por kanë të drejtën të këmbëngulin që zëri i tyre të dëgjohet. Ndërsa në një prononcim tjetër sot gjatë një vizite në Fier ambasadori Arvizu theksoi se nën regjimin e mëparshëm asnjë nuk vuajti më shumë se të burgosurit politikë, individët e persekutuar.

“Është një problem për gjithë vendin, dhe jo vetëm për disa individë, kur në vitin 2012 ata e gjejnë veten të lënë jashtë shoqërisë. Shtetet e Bashkuara nuk janë në gjendje të marrin një qëndrim mbi vlerën e argumenteve specifike, ankesat e tyre specifike, por ne besojmë fort se duhet të ketë ndonjë mënyrë që këto ankesa të përçohen, të paraqiten” - tha ambasadori Arvizu.

Sipas tij, nga pikëpamja humanitare dhe e dinjitetit njerëzor, këta njerëz janë të margjinalizuar në shoqëri, nuk po ia dalin mbanë. “Njerëzit duhet ta shohin situatën e tyre që të ketë ndonjë lloj dialogu, ndonjë lloj komunikimi, për të dëgjuar atë që ata kanë për të thënë. SHBA nuk po merr një qëndrim me këtë apo atë argument, por ne po themi fuqishëm se nevojitet të ketë dialog dhe komunikim, sepse kështu funksionon qeverisja demokratike” - tha ambasadori amerikan.

Ndërsa sot ambasadori i Bashkimit Europian, Etore Sequi e vizitoi Ndrecën në spital, ku falenderoi mjekët për shërbimin dhe i përcolli atij simpatinë e kolegëve nga Brukseli. “Ne besojmë se të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me kompensimin e ish të burgosurve politikë duhen trajtuar përmes zbatimit të ligjeve. Nevojitet dialogu midis palëve të përfshira”, tha ambasadori Sekui.

Ndërkaq ministria e financave përmes sekretarit të përgjithshëm të saj publikoi një deklaratë në lidhje me dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë. Zoti Dorjan Teliti tha se “greva është e manipuluar politikisht”, ndërsa dha shifra të kompensimeve për secilin grevist, shifra që konfirmojnë sipas tij, vëmendjen e qeverisë ndaj kësaj shtrese, të cilat “janë edhe vlerat më të mëdha të dëmshpërblimit krahasuar me çdo vend tjetër ish komunist në botë”.

Ndërkaq greva e urisë vazhdon në ditën e 18 në periferi të kryeqytetit, dhe grevistët thonë se janë të vendosur që ta vazhdojnë atë, dhe se kërkesat e tyre janë thjesht ekonmike. “Ky është vetëm fillimi. Jemi të vendosur të kërkojmë të drejtën tonë që është miratuar me ligj në parlament. Nuk kemi punë me politikë, por vetëm me ekonomi. U kemi thënë të gjithë politikanëve që na kanë ardhur në grevë: Mos na ngatërroni me politikë. Ne duam vetëm dëmshpërblimet tona, dhe u kemi lënë afate atyre, ndërsa për grevën e urisë jemi të vendosur” - tha Besim Valteri, një nga grevistët.

Përfaqësuesi i urgjencës spitalore të turnit Frrok Bardhi thotë se “njerëzit e mjekësisë janë në gadishmëri të plotë 24 orë, por gjendja e grevistëve po rëndohet, dhe për çdo problem grevistët i nisim në spital për serume dhe mjekime të veçanta” - thotë Frrok Bardhi, përfaqësues i urgjencës shëndetësore. Ndërsa koordinatori i grevës, Skënder Tufa, thotë se sot janë dhënë disa shenja për dialog nga disa politikanë që po përpiqen të vendosin komunikim.

Grevistët e urisë thonë se nuk po bëjnë grevë për vete, por për mijëra ish të dënuar të tjerë të regjimit komunist, që nuk janë jetojnë mirë dhe nuk janë integruar në shoqëri. Ky grup ish të burgosurish politikë po zhvillojnë një grevë urie prej 18 ditësh duke kërkuar dëmshpërblimet e burgimit të padrejtë nga diktatura komuniste, për të cilën kanë marrë pafajsinë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG