Lidhje

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pritet të diskutojë gjendjen në Lindjen e Mesme

  • Margaret Besheer

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pritet të diskutojë gjendjen në Lindjen e Mesme

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pritet të diskutojë gjendjen në Lindjen e Mesme

Javën e ardhshme, udhëheqësit e botës do të mblidhen në Nju Jork për takimin e tyre vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Shumë gjëra kanë ndryshuar që kur ata u takuan shtatorin e kaluar, duke përfshirë gjendjen politike në Lindjen e Mesme dhe ndërprerjen e bisedimeve të paqes mes palestinezëve dhe izraelitëve.

Tema më e diskutuar ka të ngjarë të jetë lëvizja për demokraci që filloi në Afrikën e Veriut dhe përfshiu mbarë Lindjen e Mesme deri në Jemen.

Në mars, pasi u vranë dhjetëra protestues pro-demokracisë në vendin e tij, ish-ambasadori i Jemenit në OKB Abdullah Alsaidi dha dorëheqjen. Ai tani punon në organizatën e pavarur Instituti Ndërkombëtar i Paqes në Nju Jork. Ai thotë se këto vende do të kërkojnë mbështetje ndërkombëtare për të lehtësuar kalimin e tyre në demokraci.

“Disa vende do të kenë nevojë për ndihmë ekonomike, disa nuk do kenë nevojë për ndihmë ekonomike, sepse ato kanë pasuri nafte - si libianët. Sirianët dhe jemenasit në fund do të kenë nevojë për ndihmë ekonomike. Por ata gjithashtu kanë nevojë për mbështetje politike. Ata do të duhet t’i ndihmojnë këta popuj gjatë transformimit nga regjimet diktatoriale në demokraci”.

Vitin e kaluar, Presidenti amerikan Barak Obama i tha Asamblesë së Përgjithshme se ai shpresonte të shihte një shtet palestinez në OKB-ë, në shtator të këtij viti.

“Miqtë e Izraelit duhet ta kuptojnë se siguria e vërtetë për shtetin hebraik kërkon një Palestinë të pavarur, që i lejon popullit palestinez të jetoj me dinjitet dhe mundësi”.

Por zgjerimet e reja të vendbanimeve izraelite kanë dëmtuar bisedimet e paqes dhe përparimin për të cilin shpresonte Presidentit Obama. Tani, palestinezët thonë se ata mund të kërkojnë zgjerimin e njohjes madje edhe anëtarësimin e plotë në OKB. Por zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Viktoria Nuland tha se Uashingtoni do të bllokojë një masë të tillë, nëse prezantohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Kundërshtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj një veprimi të tillë në Nju Jork nga palestinezët në përpjekje për të krijuar një shtet nuk duhet të shikohet si një veprim i papritur nga askush në këtë dhomë. Krijimi i shteti palestinez mund të arrihet vetëm përmes negociatave. Pra, nëse diçka e tillë hidhet në votim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Shtetet e bashkuar do t’i vënë veton”.

Megjithatë, zoti Alsaidi thotë se palestinezët do të vazhdojnë përpjekjet e tyre për njohje në Kombet e Bashkuara për shkak se ata nuk kanë asgjë për të humbur.

“Së pari, për palestinezët, nuk ka bisedime për paqe. Pra, kur ata thonë se mos shkoni në OKB, sepse kjo do të prishë procesin e paqes - nuk ka proces të paqes. Pra, palestinezët nuk kanë alternativë tjetër, sipas mendimit të tyre, përveç se të shkojnë në Kombet e Bashkuara dhe të kërkojë njohjen e shtetit të Palestinës në kufijtë e 4 qershorit 1967”.

Udhëheqësit do të diskutojnë çështje të tjera të rëndësishme ndërkombëtare, duke përfshirë edhe urinë në Bririn e Afrikës, luftën në Afganistan dhe mospërhapjen e armëve bërthamore.

XS
SM
MD
LG