Lidhje

Japonia, ASEAN-i dhe Kina

  • Daniel Sherf

Japonia po përpiqet të thellojë lidhjet politike, ekonomike dhe në fushën e mbrojtjes me Azinë Juglindore, mes tensioneve reciproke me Kinën mbi disa territore të debatueshme. Këto tensione ishin në qendër të diskutimeve të një takimi rajonal që u mbajt kohët e fundit në Tokio.

Udhëheqësit e Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore dhe Japonisë ranë dakord në takimin e Tokios lidhur me lirinë e lundrimit dhe të fluturimit në hapësirat ujore dhe ajrore në rajon.

Kjo deklaratë vjen disa javë pasi Kina bëri të njohur vendimin e debatueshëm të zgjerimit të Zonës së saj të Mbrotjes Ajrore. Në bazë të këtij vendimi, çdo avion që hyn në këtë zonë të zgjeruar të Kinës, duhet të njoftojë më parë autoritetet kineze, ashtu siç do të bënte po të fluturonte në territorin kinez. Por ndaj kësaj zone kanë pretendime edhe Japonia dhe Koreja e Jugut. Veprimi i Pekinit u prit me kundërshtime nga Seuli, Tokioja dhe Uashingtoni, të cilat shprehën shqetësime se Pekini po përpiqet të ndryshojë status quonë. Në një konferencë shtypi pas takimeve të ASEAN-it me Japoninë, kryeministri japonez Shinzo Abe i bëri thirrje Kinës ta anulojë zgjerimin e zonës së debatueshme

“Japonia bën thirrje për tërheqjen e të gjitha masave që shkelin parimet e përgjithshme të fluturimit dhe lundrimit sipas ligjit ndërkombëtar”.

Zoti Abe shtoi se Japonia nuk ka për synim të ndryshojë politikën e qeverisë për t'i këshilluar kompanitë civile ajrore japoneze t'i vazhdojnë operacionet e tyre normale sipas rregullave.

Ishujt Sendaku të administruar nga Japonia njihen në Kinë si ishujt Diaoyu. Pekini dërgon patrulla të vazhdueshme detare dhe avionë ushtarakë në rajon. Zyrtarët kinezë thonë se ishujt janë të Pekinit dhe vazhdimisht i cilësojnë kritikat japoneze si të pabaza.

Ngërçi lidhur me ishujt në Detin e Kinës Lindore ka patur jehonë në Detin e Kinës Jugore. Kina pretendon se i përket shumica e territorit, një qëndrim që bie ndesh me pretendimet e disa vendeve të tjera të ASEAN-it si, Brunei, Malajzia, Filipinet dhe Vietnami.

Ambasadori i Kinës në Manila tha se Pekini ka të drejtën të shpallë si të tijën një zonë të ngjashme ajrore edhe në Detin e Kinës Jugore.

Analistët politikë thonë se qëndrimi agresiv i Kinës ndaj territoreve të debatueshëm e ka bërë atë të humbë terren diplomatik në Azinë Juglindore, terren që Japonia po përpiqet ta fitojë.

Në takim, Japonia u zotua të japë një ndihmë prej 19 miliardë dollarësh dhe hua për rajonin e ASEAN-it, si dhe për të thelluar bashkëpunimin në fushën e mbrojtes. Kryeministri japonez Abe ofroi ndihma për tajfunin Hejan, si dhe anije për rojet bregdetare të Filipineve. Po ashtu ai ofroi anije patrulluese për Vietnamin. Dhe ndërsa nuk ka qënë ende për vizitë në Pekin, zoti Abe i ka vizituar të 10 vendet e tjera anëtare të ASEAN-it.

Por, ashtu si me Japoninë, Kina është partneri tregtar numër një i ASEAN-it dhe disa vende anëtare kanë lidhje më të afërta me Pekinin.

Jeff Kingston, drejtor për studimet aziatike në Unversitetin Temple të Japonisë, thotë se ASEAN-i po kërkon që Japonia të jetë një kundërpeshë ndaj Kinës.

“Kur zoti Abe zhvilloi turne në rajon, ai po përpiqej të nxiste atë që ai e cilësoi "Harku i lirisë dhe begatisë" bazuar në vlerat e përbashkëta. Ky koncept duket qartë se kishte si synim frenimin e Kinës. Në vitin 2007 ky koncept nuk u mirëprit sa duhet, por tani duket se vendet e ASEAN-it janë më të prirura ta mbështesin atë.”

Rreziku i një konflikti të mundshëm me Kinën është përherë i pranishëm siç u pa nga një incident i ditëve të fundit, kur një luftanije amerikane u detyrua të ndryshonte drejtim, pasi një anije kineze i preu asaj rrugën në Detin e Kinës Jugore.

Zyrtarët e Pentagonit thonë se anija USS Cowpens po lundronte në ujërat ndërkombëtare, duke vëzhguar aeroplanembejtësen e re kineze Liaoning. Zyrtarët thanë se panë një anije më të vogël kineze, e cila lundroi në drejtim të anijes amerikane duke I bllokuar asaj rrugën dhe duke e detyruar të ndalonte plotësisht.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG