Lidhje

Ashpërsohet lufta për buxhetin në Uashington

  • Majkëll Bouman

President Barack Obama delivers the State of the Union address on Capitol Hill in Washington, 25 Jan 2011

President Barack Obama delivers the State of the Union address on Capitol Hill in Washington, 25 Jan 2011

Propozimi i presidentit për buxhetin dhe reagimi i republikanëve do të theksojnë ndarjet në politikën amerikane mes atyre që shohin qeverinë si shtytësen e nevojshme ndaj përparimit dhe mirëqenies dhe atyre që e shohin si pengesë të rëndë ndaj tregut të lirë.

Në fjalimin e përjavshëm ditën e shtunë, Presidenti Obama tha se projekt-buxheti i tij tregon maturi fiskale në një periudhë deficiti triliona dollarësh dhe se synon t’u përgjegjet nevojave të vendit.

“Buxheti kërkon nga Uashingtoni të jetojë brenda mundësive, ndërsa në të njëjtën kohë të investojë për të ardhmen tonë. Projekti shkurton ato që nuk mund t’i paguajmë”.

Presidenti tashmë ka ngrirë pagat e punonjësve federalë. Buxheti i tij do të pezullonte një pjesë të madhe të shpenzimeve vendore për një periudhë pesëvjeçare, duke detyruar shkurtimet për disa programe dhe agjenci në mënyrë që të paguhet për rritjen e shpenzimeve në projekte të infrastrukturës dhe programe të tjera që i mbështet administrata.

Në përgjithësi, administrata thotë se plani do të pakësonte shpenzimet për më shumë se 1 trilion dollarë brenda 10 vjetësh.

Qysh para shpalljes së projekt-buxhetit, republikanët kanë shpërfillur premtimin e presidentit për disiplinë fiskale. Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Buxhetin, përfaqësuesi republikan Pol Rajën nga Uiskonsin, tha se dëshiron të shohë projekt-buxhetin njëherë e të mos paragjykohë, por shtoi se nuk i pëlqen çfarë ka dëgjuar deri më tash.

“Në njerën anë, Presidenti Obama dëshiron kursime që nuk kanë vlerë dhe në anën tjetër, shpenzime të mëdha. Marrja e huave dhe shpenzimet nuk mundësojnë begati. Deficiti i të sotmes domethënë rritje taksash për të nesërmen dhe kjo shkakton mbylljen e vendeve të punës”.

Zoti Rajën thotë se propozimi i zotit Obama për pezullimin e shpenzimeve do të linte pa zgjidhje shpenzimet tejet të mëdha të bëra gjatë dy viteve të para të administratës së tij.

Republikanët, të cilët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, thonë se duan të kthejnë shpenzimet vendore në nivelin e vitit 2008, viti para se të vinte në pushtet zoti Obama. Për të arritur qëllimin, republikanët po propozojnë shkurtime të mëdha në shpenzime në gjithçka prej mbrojtjes së mjedisit, në hulumtimet mjekësore e deri në ruajtjen e kufijve. Republikanët duan gjithashtu të shfuqizojnë ligjin e administratës së Presidentit Obama për reformën shëndetësore, e cila synon të nxisë më shumë amerikanë të blejnë sigurime shëndetësore private dhe të shtojë kujdesin parandalues.

Demokratët kanë kontrollin në Senat dhe Shtëpinë e Bardhë, duke shkaktuar çfarë pritet të jetë betejë e zgjatur dypartiake rreth shpenzimeve federale. Shumë ekonomistë dhe analistë të buxhetit thonë se nëse Shtetet e Bashkuara duan të rregullojnë çështjet fiskale, duhet të trajtohet programet popullore që mundësojnë të hyra dhe sigurim shëndetësor për pensionistët. Por asnjëra parti nuk ka ofruar plane konkrete për një gjë të tillë.

Shpenzimet federale arrijnë të paktën një të katërtën e prodhimit të brendshëm bruto, më së shumti që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore.

XS
SM
MD
LG