Lidhje

Ashton dhe Fyle: Shqipëria të kërkojë këshillim nga jashtë për vendimet e KQZ-së


Ashton dhe Fyle: Shqipëria të kërkojë këshillim nga jashtë për vendimet e KQZ-së

Ashton dhe Fyle: Shqipëria të kërkojë këshillim nga jashtë për vendimet e KQZ-së

Dëgjoni kronikën:

Dy drejtues të lartë të Bashkimit Europian, përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme, Katherin Ashton, dhe komisioneri për zgjerimin, Shtefan Fyle, u bënë thirrje partive shqiptare ta zgjidhin me dialog çështjen e votave të hedhura gabimisht. Ata propozuan që Shqipëria mund të kërkojë këshillim të pavarur nga jashtë për vendimet e debatuara të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Përfaqësuesja e lartë, Ashton, dhe komisioneri Fyle, u kërkuan forcave politike shqiptare të nisin dialogun për të diskutuar çështjen e votave të hedhura gabim.

Zyrtarët e lartë të BE-së publikuan në mbrëmje një deklaratë të përbashkët ku theksuan se presin që “procedurat e apelimit të jenë të ndershme, transparente dhe të mbahen në mënyrë të pavarur dhe në përputhje të plotë me kuadrin ligjor ekzistues”. Zonja Ashton dhe komisioneri Fyle deklaruan se “logjika ligjore të vendimeve të KQZ-së, për të numëruar të ashtuquajturat vota ‘të hedhura gabimisht’, është një çështje që përbën shqetësim”. Ata pohuan se “procesi zgjedhor nuk ka përfunduar ende. Bashkimi Evropian do të ndjekë nga afër plotësimin e procedurave të apelit dhe publikimin e rezultateve përfundimtare si dhe vlerësimin e procesit nga misioni i monitorimit të zgjedhjeve të OSBE/ODHIR”.

Zyrtarët e lartë të BE-së theksojnë në deklaratën e tyre se “zgjidhje konsensuale dhe të qëndrueshme mund të gjenden për ato çështje të cilat nuk janë mbuluar në mënyrë eksplicite nga ligji dhe që kërkojnë interpretim. Për këtë qëllim, partitë duhet të nisin menjëherë dialogun në mënyrë që të bien dakort se si ta trajtojnë çështjen e votave “të hedhura gabimisht”. Një mundësi që mund të merret në konsideratë është që të kërkohet këshillim nga jashtë i pavarur për vendimet e debatuara të KQZ-së”. Zonja Ashton dhe zoti Fyle theksuan se “interesi i vendit dhe vazhdimësia e procesit të integrimit evropian duhet të mbizotërojë para interesave partiake. Udhëheqësit politikë duhet të jenë në lartësinë e aspiratave evropiane dhe demokratike të qytetarëve shqiptarë”.

Deklarata e përbashkët e politikanëve të lartë europianë u publikua ndërkohë që Partia Socialiste bëri të ditur se nuk do të njohë rezultatet e shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ku Lulzim Basha njihet si fitues zyrtarisht. Ndonëse kandidati Basha u shpreh se do të priste me durim edhe vendimin e Kolegjit Zgjedhor mbi vendimet e nxjerra nga KQZ, kandidati tjetër Edi Rama i tha shtypit se nuk do të njohë asnjë rezultat që nuk pasqyron fitoren e tij me 10 vota, të publikuar në rezultatet paraprake. Zoti Rama tha se PS do të vazhdojë tubimet e protestës dhe se KQZ shkeli ligjin me numërimin e votave të hedhura gabimisht në kuti me ngjyra të tjera.

KQZ shpalli fitues me 81 vota kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha, pasi numëroi disa qindra vota hedhura gabimisht në kuti me ngjyra të tjera. Ndërsa socialistët i kërkuan Kolegjit Zgjedhor të shpallë si të paligjshme këtë procedurë të paparashikuar dhe të njihte fitoren e kandidatit Edi Rama. Në pritje të vendimit të Kolegjit Zgjedhor, debatet vazhdojnë po aq të ashpra sa edhe shifrat e ngushta të kësaj gare që nga fillimi u vlerësua prej socialistët si zgjedhje politike, ndonëse për demokratët ishin zgjedhjet vendore të radhës.

XS
SM
MD
LG