Lidhje

Ashton: Nuk ka garanci për negociatat me Iranin


Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Katherine Ashton thotë se "nuk ka garanci" që negociatat bërthamore midis Iranit dhe Perëndimit të çojnë në një marrëveshje të plotë, kur bisedimet të rifillojnë këtë muaj.

Ashton komentoi sot, së bashku me ministrin e jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif në kryeqytetin iranian. Ajo tha se takimet me zyrtarët iranianë do të kenë si temë lidhjet e ndërsjellta, konfliktet rajonale, të drejtat e njeriut dhe rifillimin e bisedimeve bërthamore më 18 mars.

Sipas një marrëveshje të përkohshme të arritur në nëntor, Irani ra dakord për të kufizuar pasurimin e uraniumit për gjashtë muaj, në këmbim të një lehtësimi të sanksioneve perëndimore që e kanë dëmtuar ekonominë iraniane. Marrëveshja hyri në fuqi më 20 janar.

Fuqitë perëndimore e akuzojnë Iranin se përpiqet të prodhojë armë bërthamore me kërkimet që vazhdon të bëjë, ndërkohë që Teherani ngul këmbë në mënyrë të përsëritur se puna e tij në sferën bërthamore ka objektiva paqësore.
XS
SM
MD
LG