Lidhje

Kush do të zëvendësojë Catherine Ashton?


Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të takohen më 30 gusht për të zgjedhur shefin e ri të politikës së jashtme të BE-së, i cili do të zëvendësojë britaniken Catherine Ashton, mandati i të cilës përfundon në muajin tetor. Ministri i Jashtëm polak Radoslaw Sikorski, një strateg i respektuar, është përmendur si një kandidat i fortë për postin.

Disa diplomatë thonë se ministri i Jashtëm i Polonisë Radoslaw Sikorski është një nga kandidatët me më shumë shanse për t’u zgjedhur si pasardhës i zonjës Ashton. Por sipas tyre, deri tani garën e kryeson ministrja e jashtme e Italisë, Federica Mogherini, dhe një nga arsyet e përmenduara është se udhëheqësit e BE-së duan të shpërblejnë kryeministrin reformator të vendit Matteo Renzi, i cili po promovon me ngulm kandidaturën e saj.

Përveç aftësive të saj politike, Mogherini është gjithashtu socialiste dhe grua, edhe pse Polonia dhe shtetet baltike nuk janë të bindur mbi përshtatshmërinë e saj, duke e cilësuar si të papërvojë dhe shumë të butë ndaj Rusisë për krizën Ukrainë. Elementi i gjinisë mbart shumë peshë për postet në Komisionin Evropian, pasi zoti Jean-Claude Juncker do të donte të kishte më shumë gra në ekipin e tij sesa numri i tanishëm i Komisionit, nëntë.

Ministri i Jashtëm polak Radoslaw Sikorski, edhe pse mashkull dhe konservator, shihet si një alternativë e mundshme për postin e shefit të politikës së jashtme të BE-së, nëse kandidatura e zonjës Mogherini bllokohet. Kryeministri i Polonisë Donald Tusk tha majin e kaluar se Sikorski do të ishte një kandidat i natyrshëm për punën e kryediplomatit të Bashkimit Evropian.
Muajin e kaluar, një revistë polake tha se zotëronte një regjistrim të fshehtë të zotit Sikorski në të cilin ai shprehert se “marrëdhëniet e Polonisë me SHBA-në ishin të pavlefshme”.

Kristalina Georgieva e qendrës së djathtë në Bullgari, tani Komisionere e BE-së për Bashkëpunim Ndërkombëtar, është gjithashtu në garë për postin, thonë diplomatët.

Zoti Sikorski ka qenë i pranishëm në skenën politike të Polonisë që nga fillimi i viteve nëntëdhjetë, por vendin në kabinetin qeveritar e ka marrë për herë të parë si ministër i mbrojtjes në qeverinë konservatore të kryesuar nga Jaroslaw Kaczynski në vitin 2005. Që atëherë ai ka ndryshuar aleancën e tij, duke u vendosur përkrah rivalit të Kaczynskit, Donald Tusk, që i dha atij postin e ministrit të jashtëm, të cilin ai vazhdon të mbajë edhe sot.

Disa evropiano-perëndimorë e shohin ministrin polak, të arsimuar në Oxford, si shumë agresiv ndaj Moskës, por mes njerëzve në Poloni ai ka ndërtuar imazhin e një mendimtari strategjik të respektuar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG