Lidhje

Ashton: Ukraina synon të nënshkuajë marrëveshje me BE


Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton tha se presidenti i Ukrainës Viktor Yanukovych "synon të nënshkruajë" një marrëveshje tregtare dhe bashkëpunimi me BE-në, të cilën e refuzoi muajin e kaluar, duke shkaktuar protesta masive anti-qeveritare. Ndërkohë Presidenti rus Vladimir Putin komentoi mbi trazirat që vazhdojnë në Ukrainë, gjatë fjalimit të tij të përvitshëm në Kremlin para dy dhomave të parlamentit.

Duke folur sot para gazetarëve në Bruksel, pas bisedimeve që zhvilloi me zotin Yanukovych në kryeqytetin ukrainas, Zonja Ashton tha se është e qartë se çështjet ekonomike dhe financiare afat-shkurtra me të cilat përballet Ukraina mund të lehtësohen me nënshkrimin e marrëveshjes së asociimit, duke sjellë investime të reja nga vendet e BE-së.

"Yanukovych ma bëri të qartë se ai synon të nënshkruajë marrëveshjen e asociimit. Ai foli për çështjet ekonomike afat-shkurtra me të cilat përballet vendi. Dhe nga pikëpamja ime këto sfida, që janë reale, mund të trajtohen me mbështetje jo vetëm nga institucionet e Bashkimit Evropian, por gjithashtu duke treguar se ai ka një plan serioz ekonomik duke nënshkuar marrëveshjen e asociimit do të ndihmojë të sjellë investimet e nevojshme në vend."

Në Rusi, Presidenti Vladimir Putin duke komentuar mbi trazirat që vazhdojnë në Ukrainë, gjatë fjalimit të tij të përvitshëm në Kremlin para dy dhomave të parlamentit, tha se Ukraina ka shfaqur interes për të marrë pjesë në mbledhjet e Bashkimit Doganor të Rusisë, Bjellorusisë dhe Kazakistanit, të cilin ai e quajti "trojka".

"Ne nuk po i imponojmë asgjë askujt, por nëse miqtë tanë janë të interesuar të bashkëpunojnë me ne, ne jemi të përgatitur për ta vazhduar këtë punë," tha ai.

Ndërkohë protestat anti-qeveritare vazhdojnë në Ukrainë, me demonstruesit që bëjnë thirrje për lidhje më të ngushta me Bashkimin Evropian. Por shtypja e protestave të opozitës nga ana e qeverisë është parë me shqetësim edhe në Uashington.

"Jemi duke konsideruar mundësi të ndryshme politikash ndaj tyre. Por natyrisht nuk është marrë ende një vendim. Sanksionet janë të mundura, por nuk do të flas për më shumë hollësi."

Udhëheqësit e opozitës ukrainase refuzuan një thirrje të presidentit Yanukovych për bisedime, me qëllim përfundimin e protestave. Ata ishin të pakënaqur nga veprimi i tij për të mos nënshkruar marrëveshjen e tregtisë me Bashkimit Evropian, duke preferuar zgjerimin e marrëdhënieve me Rusinë. Opozita ka kërkuar gjithashtu që presidenti të lirojë të gjithë të burgosurit e arrestuar që nga fillimi i protestave si dhe që ai dhe qeveria e tij të japin më pas dorëheqjen.
XS
SM
MD
LG