Lidhje

Festivali i Ideve në Aspen të Kolorados


Çdo verë, disa prej shkencëtarëve, udhëheqësve dhe artistëve më interesantë në Shtetet e Bashkuara mblidhen për të shkëmbyer ide në Aspen të shtetit Kolorado. Aktiviteti mban emrin Festivali i Aspenit për Idetë. Festivali është një inkubator i krijimtarisë që tërheq njerëzit më të mirë në shumë fusha nga Shtetet e Bashkuara dhe bota në qytetin e vogël amerikan të njohur për bukuritë natyrore. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Vivian Chakarian ishte në Kolorado:

Xiao Xiao, pianiste dhe studente e doktoraturës në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets, solli në Aspen idetë e saj rreth ngjashmërive mes ndërveprimit piano-njeri dhe njeri-kompjuter, duke ndërtuar një përvojë që krijon ura mes botës dixhitale dhe asaj fizike.

"Një ditë kur po bëja praktikë në piano pashë reflektimin e bukur të duarve të mia në tastierë, dhe mendova se sa bukur do të ishte në qoftë se në vend të duarve të mia do të shikoja duart e dikujt tjetër”.

Dr. Joel Dudley është drejtor i bioinformatikës dhe profesor i shkencave të gjenetikës në Fakultetin e Mjekësisë Icahn në Mt. Sinai. Ai foli në Aspen për hapat e mëdha të bëra në kujdesin shëndetësor, veçanërisht në fushën e gjenenetikës.

“Një gjenom për një individ të vetëm, për shembull, ka 6 miliardë shkronja në të. Kjo është një sasi e madhe informacioni për ta interpretuar, dhe ne tani kemi pajisjet për ta bërë më të lirë dhe më të lehtë interpretimin ose të paktën matjen e këtij informacioni”.

Patricia McLaughlin është zëvendës presidente e komunikimeve në Fondacionin e Trashëgimisë, një organizatë e shëndetit publik e cila po punon për luftën kundër pirjes së duhanit. Ajo ka ardhur në Aspen për të mbajtur të angazhuar mediat dhe udhëheqësit e biznesit për këtë çështje.

“Ne kemi punuar me tre artistë të ndryshëm të cilët kanë shprehur qëndrimin e tyre mbi disa nga çështjet kryesore të aktivitetit tonë rreth pirjes së duhanit. Përmes artit të tyre ata e kanë ilustruar këtë çështje dhe na kanë ndihmuar të fillojmë dikutimin e saj me njerëzit”.

Këto janë vetëm disa nga shumë ide të paraqitura në Aspen. Për më shumë se 60 vjet, Instituti Aspen ka qenë një vend i grumbullimit të shkrimtarëve të shquar, artistëve, zyrtarëve, drejtuesve të biznesit, shkencëtarëve, ekonomistëve dhe ekspertëve të politikës së jashtme.

Kitty Boone, nënpresidente e programeve publike në Institutin Aspen dhe drejtore e Festivalit të Aspenit për Idetë, thotë se festivali u jep rreth 4 mijë pjesëmarrësve një mënyrë të re të vlerësimit të temave të rëndësishme.

“Qëllimi i organizatës sonë dhe i këtij festivali është krijimi i një ambienti ku njerëzit mund të mendojnë dhe kuptojnë një çështje nga këndvështrime të shumta”.

Nga mëngjesi deri në mbrëmje, zhvillohen takime në trotuare, në lëndina apo në restorante, me shkencëtarë, artistë, muzikantë dhe udhëheqës të tjerë, në këtë pjesë rurale të Maleve Rocky nën tingujt e bukur të muzikës së violonçelistit me famë botërore Yo-Yo Ma.
XS
SM
MD
LG