Lidhje

Aspirina lufton kancerin Melanoma

  • Astrit Lulushi

Të rejat e fundit për somnambulizmin dhe rrezikun e barnave dietike për mëlçinë

Djegiet nga dielli janë faktor kryesor i kancerit të lëkurës. Prandaj në ditë të nxehta, miliona njerëz armatosen me kremra, kapele e syze. Por duket se tani mund të kenë një armë të re, Aspirinën.



Një studim i ri tregon se njerëzit që morën çdo ditë një dozë të ulët aspirine ose ibuprofen për të paktën tre vjet kanë 15 për qind më pak gjasa për të zhvilluar kancer melanoma në lëkurë.

Pra, mes 100 njerëzve me melanoma,15 prej tyre nuk do të ishin prekur nga ky lloj kanceri në qoftë se do të kishin marrë një dozë aspirine. Kanceri Melanoma ka aftësi të lëshojë metastaza dhe është kryesisht vdekjeprurës.

Dhe përfitimi kundër Melanomës ishte edhe më i madh për ata që morrën për të paktën 7 vjet një dozë më të lartë aspirine.

Ekziston idea se aspirina i kundërvihet kancerit duke bllokuar aftësinë e tumorëve për t’u zgjeruar. Ka njerëz që marrin aspirinë për të parandaluar goditjet në zemër. Por studimet e fundit tregojnë se aspirina mund të parandalojë rrezikun edhe nga llojet e tjera të kancerit.

Ndonjë mund të thotë se tani ekziston edhe një arsye më shumë për të marrë aspirinë. Por kjo këshillë mund të mos vlejë për të gjithë – Aspirina mund të shkaktojë gjakrrjedhje në stomak. Kështu, ndërsa shkencëtarët vazhdojnë duke kërkuar në të mirat e aspirinës, mjekët thonë se edhe këtë verë, mbrojtja më e mirë nga dielli është qëndrimi në hije.


Ecjet në gjumë, më të zakonshme se sa mendohej

Në se dikush është somnambul– pra ecën në gjumë – ai/ajo nuk ecën vetëm. Një studim në revistën “Neurologji” konstaton se 3 presje 6 për qind e amerikanëve në moshë të rritur ose më shumë se 1 milionë e 100 mijë vetë ecin gjatë kohës që flenë. Kjo e bën këtë çrregullim më të shpeshtë sesa mendohej më parë.

Studimi morri në shqyrtim rreth 19 mijë persona në 15 shtete amerikane.

Autorët e studimit zbuluan se personat me depresion kanë 4 herë më shumë gjasa për të ecur në gjumë, ashtu si edhe ata që pijnë shumë alkohol ose ata që kanë mani ose ide fiksuese rreth diçka (obsessive-compulsive disorder).

Disa barna kundër depresionit dhe pilulat e gjumi që merren pa recetë gjithashtu shtojnë rrezikun për ecje në gjumë.

Studimi zbuloi edhe se gati 1/3 e personave somnambul kishin një histori familjare të këtij çrregullimi.

Shkaqet e sakta të ecjes në gjumë janë të panjohura, por ky çrregullim mund sjellë pasoja serioze. Personat që ecin në gjumë gjatë këtij akti të pavetëdijshëm, mund të lëndojnë veten ose të tjerët.


Barnat dietikë lidhen me dëmtimin e mëlçisë

A mundet që tabletat për humbje peshe të dëmtojnë mëlçinë? Kjo është e mundur, thuhet në studimin e një rrjeti kundër sëmundjeve të mëlçisë.

Për amerikanët ky është një lajm jo i thjeshtë, pasi 40 për qind e tyre përdorin tableta shtesë dhe dietikë për të rënë nga pesha dhe për të krijuar muskuj.

Studimi shqyrtoi rreth 100 raste të dëmtimeve të mëlçisë dhe zbuloi se në të gjitha rastet, personat kishin përdorur barna për shtimin e muskujve dhe humbje peshe. Autorët e studimit thonë se edhe çaji i gjelbër, i cili përdoret si substancë në tabletat shtesë, lidhet me dëmtimin mëlçisë.

Shkencëtarët u përqëndruan në sasinë e substancës së këtij lloj çaji që është i pranishëm në shumicën e tabletave ushqyese shtesë, dhe zbuluan se 40 për qind e prodhimeve që përmbanin çaj të gjelbër, nuk e pasqyronin këtë substancë në etiketat e tyre.

Bazuar në rezultate, autorët e studimit tani besojnë se tabletat për humbje peshe dhe për krijimin e muskujve janë mes shkaqeve më të zakonshme të dëmtimeve nga barnat plotësues dietikë.
XS
SM
MD
LG