Lidhje

Assad nuk përjashton mundësinë e një sulmi amerikan


Presidenti sirian Bashar al-Assad nuk përjashton mundësinë e një sulmi amerikan ndaj vendit të tij, megjithëse ra dakort me marrëveshjen që i kërkon të dorëzojë armët kimike.

Duke folur për televizionin venezuelian Telesur, President Assad tha se qeveria e tij mbetet e angazhuar për marrëveshjen amerikano-ruse, që po finalizohet zyrtarisht nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së.

Zoti Assad tha se nuk sheh “pengesa serioze” ndaj planit, por paralajmëroi se terroristët, frazë që e përdor për t’ju referuar rebelëve, mund të përpiqen të bllokojnë qasjen e inspektorëve të OKB-së që kërkojnë të sigurojnë arsenalin kimik të vendit.

Marrëveshja u arrit pasi Shtetet e Bashkuara kërcënuan me sulme ajrore për të ndëshkuar qeverinë e tij për sulmin kimik të muajit të kaluar në zonat e kontrolluara nga rebelët ku u vranë qindra vetë. Zoti Assad ka mohur të ketë kryer sulmin.

Shtetet e Bashkuara i shtynë sulmet ajrore pasi zoti Assad ra dakort për marrëveshjen. Por udhëheqësi sirian i tha televizionin Telesur se mundësia e asaj që e quajti “agression amerikan” ishte e pranishme, nëse “preteksti” ishin armët kimike ose “diçka tjetër”.

XS
SM
MD
LG