Lidhje

Assad: një zgjidhje politike për krizën siriane


Presidenti sirian Bashar al-Assad përsëriti sot se fokusi i tij është eliminimi i kërcënimit terrorist ndaj Sirisë. Ai tha se do ta udhëheqë vendin drejt një zgjidhjeje politike, të cilën e kërkojnë sirianët, për t’i dhënë fund krizës që ata po përjetojnë prej më tepër se katër vjetësh e gjysëm.

Assad u takua me një grup ligjvënësish rusë dhe zyrtarësh të tjerë në Damask. Agjencia shtetërore SANA tha se Presidenti theksoi që largimi i grupeve terroriste do të ruante sovranitetin e Sirisë dhe integritetin territorial të vendit.

Njëri prej ligjvënësve, anëtarë të delegacionit rus, tha se Bashar al-Assad kishte thënë se ishte i përgatitur të merrte pjesë në zgjedhje të reja presidenciale, si dhe për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, në se këtë e kërkon populli sirian.

Ministria e Jashtme ruse tha të dielën se Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov biseduan në telefon për “perspektivën” e një marrëveshjeje politike me mbështetjen ndërkombëtare në Siri, e cila do të përfshinte autoritetet siriane dhe “opozitën patriotike”.

Assad është duke kryer mandatin e tij të tretë presidencial, pasi u zgjodh si president për shtatë vjet të tjerë vitin e kaluar. Votimet u kryen vetëm në rajonet e vendit nën kontrollin e qeverisë dhe ato u bojkotuan nga opozita. Assad fitoi 89 për qind të votave.

XS
SM
MD
LG