Lidhje

Jeta dhe trashëgimia e Nënë Terezës

  • Zamira Edwards

At Brian Kolodejçak, i cili punoi me Nënë Teresën për 20 vjet, është pjesë e përpjekjeve për shenjtërimin e saj

Kanë kaluar 16 vjet që nga vdekja e Nënë Terezës dhe këtë javë më 19 tetor mbushen 10 vjet nga lumnimi i saj prej Papa Gjon Palit të Dytë, hapi i fundit ky para shenjtërimit. Atë Brian Kolodejçak, në Tihuana të Meksikës, i cili punoi me Nënë Terezën gjatë 20 vjetëve të fundit të jetës së saj, është pjesë e përpjekjeve për të bërë të mundur shenjtërimin e Nënë Terezës, e cila megjithëse nuk e ka këtë titull, shihet nga shumë të krishterë si shenjtore. Kolegia Zamira Edwards bisedoi me Skype me Dr. Brian Kolodejçak rreth jetës dhe trashëgimisë së Nënë Terezës.



Zëri i Amerikës: Atë Brian, e gjithë bota e njeh Nënë Terezën për punën e saj, jetën dhe dedikimin për t’u shërbyer të varfërve. Por do thosha se është krejt ndryshe ta njohësh një njeri si Nënë Tereza ashtu siç e njohët ju. A mund të na thoni, si ishte Nënë Tereza në jetën e saj të përditshme?

Atë Brian: Keni të drejtë. Herë-herë mendoja kur isha me Nënë Terezën mes njerzve të tjerë se sa e thjeshtë ishte ajo, ndërkohë që disa njerëz bënin ç’ishte e mundur vetëm për ta parë dhe takuar atë sikur edhe për pak çaste. Një prej gjërave që më preku më shumë rreth saj ishte se ajo ishte shumë e thjeshtë dhe një njeri i zakonshëm. Nëse do të ndodheshe afër Nënë Terezës, por nuk do ta njihje atë, nuk do ta dije se kush ishte nëse nuk do të vëreje disa gjëra të vogla, por domethënëse. Për shembull, kur hynte në kishë ajo përulej ose mënyra se si e pinte ujin e bekuar. Këto gjëra, megjithëse të thjeshta, ajo i bënte me përkushtim dhe jo si një rutinë.

Zëri i Amerikës: Ky dedikim i saj përkoi me një periudhë në të cilën shqiptarët vuanin: Shqipëria nën sundimin komunist për gati 50 vjet, shqiptarët në Kosovë shtypeshen për vite me rradhë. Gjatë misionit të saj për njerëzit më në nevojë, ajo pati kritikët e saj, që thoshin se ajo nuk fliste hapur rreth vuajtjeve të shqiptarëve, rreth shkeljes së të drejtave të tyre bazë. A pati folur Nënë Tereza me ju për këtë?

Atë Brian: Jo, ajo nuk fliste konkretisht rreth Shqipërisë apo Kosovës. Në përgjithësi ajo nuk angazhohej në protesta publike, pasi mendonte se një qëndrim i tillë nuk ishte i përshtatshëm për të sepse mendonte se misioni i saj ishte të transmetonte dashurinë dhe kujdesin e Zotit për njerëzit dhe kjo ishte mënyra e saj për të përhapur dashurinë mes njerëzve. Ajo nuk donte të përzjehej në politikë, duke thënë se nëse do të angazhohej në çështje të caktuara politike, nuk do të ishte në gjendje të punonte me dashuri për të gjithë njerëzit. Ajo ishte në dijeni të zhvillimeve të ndryshme dhe kurdoherë që i jepej rasti, fliste me një udhëheqës të caktuar, por jo të fliste hapur rreth çështjeve politike, kjo nuk ishte diçka që ajo mendonte se Zoti i kërkonte të bënte.

Zëri i Amerikës: Atë Brian, ju jeni pjesë e përpjekjeve për të siguruar statusin e shenjtores për Nënë Terezën. A mund të na flisni rreth këtij procesi dhe në ç'fazë ndodhet ai?

Atë Brian: Pjesa e parë e këtij procesi ishte shqyrtimi i jetës së Nënë Terezës dhe e jetës së saj si e krishterë. Shërimi i një gruaje indiane nga një tumor i madh në bark i është njohur punës së shenjtë të Nënë Terezës si një mrekulli që bëri të mundur edhe lumnimin e saj nga Papa Gjon Pali i Dytë. Tani duhet të presim një mrekulli të dytë, që pasi të miratohet, do të hapte rrugën për shenjtërimin e Nënë Terezës.

Zëri i Amerikës: A keni shpresë ju për këtë dhe sa shpejt mund të arrihet?

Atë Brian: Po, unë kam shpresë se kjo do të arrihet. Gjatë 10 vjetëve të fundit ne kemi pasur shumë raste që i kemi shqyrtuar, por deri tani nuk kemi pasur një rast të fuqishëm, që do të përmbushte kriteret e këtij procesi. Aktualisht ne po shqytojmë disa raste, po grumbullojmë dëshmi dhe informacionin mjeksor. Më pas i gjithë informacioni u jepet mjekëve për të dhënë një opinion fillestar, për të shpjeguar nga ana shkencore dhe mjeksore mundësinë e një mrekullie, megjithëse në relatat me mjekët ne as që nuk përmendim fjalën mrekulli, por thjeshtë kërkojmë opinionin e tyre profesional.

Zëri i Amerikës: Sa e vështirë është të sigurohet statusi i shenjtërimit për një individ si Nënë Tereza?

Atë Brian: Procesi është i njëjtë për të gjithë. Shpesh njerëzit mendojnë se personi i shenjtëruar bën mrekullinë, por kjo nuk është e vërtetë. Është Zoti që bën mrekullinë nëpërmjet një njeriu të dedikuar, në këtë rast nëpërmjet lutjeve te Zoti të Nënë Teresës nga parajsa. Në një farë mënyre, kjo është më e lehtë për Nënë Terezën sepse ajo është e njohur në gjithë botën, megjithatë është ende e vështirë sepse është një proces i gjatë dhe i ndërlikuar pasi vetë Kisha është strikte në këtë drejtim. Gjithashtu mrekullia duhet të vërtetohet se është vetëm e Nënë Terezës dhe jo së bashku me një shenjtor tjetër. Në një rast të tillë, mrekullia nuk mund t’i njihet Nënë Terezës si mrekullia e dytë për t’u shenjtëruar. Pra duhet të përmbushen një sërë rrethanash, por unë besoj se me ndihmën e Zotit kjo do të ndodhë.

Zëri i Amerikës: Atë Brian, disa vjet pas vdekjes së Nënë Terezës, në librin me letrat e saj ‘Come Be My Light’ ajo shkruante: Krishti ka një dashuri të veçantë për ju, ndërsa për mua, heshtja dhe zbrazëtia janë kaq të mëdha sa që unë vështroj por nuk shikoj, dëgjoj por nuk kuptoj. A kishte folur Nënë Tereza me ju rreth këtyre ndjenjave?

Atë Brian: Jo, ajo nuk foli me askënd rreth kësaj, as edhe me motrat e saj më të afërta. Vetëm disa priftërinj, me të cilët ajo bisedoi rreth ndjenjave të saj, kishin dijeni. Dhe ishin pikërisht këta priftërinj që i ruajtën letrat, megjithëse ajo donte që këto letra të asgjësoheshin. Ata i ruajtën letrat sepse e dinin se ato ishin të rëndësishme, pasi flisnin rreth përvojës së saj personale dhe dedikimit të saj. Në udhëtimin e saj megjithëse pati për një kohë të gjatë dyshimet e veta, Nënë Tereza ishte shumë afër Krishtit dhe ky ndoshta është edhe paradoksi më i madh i jetës së saj. Nënë Tereza gjithnjë thoshte se varfëria më e madhe në botë sot është të mos të dojë njeri dhe të mos kujdeset njeri. Ajo e kishte përjetuar këtë gjë në jetën e saj personale në marrëdhëniet me Krishtin, por në kuptimin tonë të krishterë, vuajtjet tona mund të jenë të efektshme ose të dobishme prandaj Nënë Tereza jetonte në solidaritet me të gjithë ata nerëz që ndjeheshin të vetmuar dhe pa dashurinë e të tjerëve. Përmbajtja e këtyre letrave është shumë e vështirë, por edhe e fuqishme dhe ndërsa për disa njerëz është vështirë t’i kuptojnë, ato përbëjnë aspektin heroik të jetës së saj.

Zëri i Amerikës: A jeni i befasuar nga këto ndjenja të Nënë Terezës, megjithëse ajo besonte aq shumë te Zoti?

Atë Brian: Ne të gjithë mbetëm të befasuar nga këto letra. Ne që e njihnim Nënë Terezën në jetën e saj të përditshme, me dashurinë që e rrethonte atë, me dashurinë që ajo kishte për Krishtin dhe dashurinë që ndjente se i vinte nga Krishti, me punën e madhe që bënte thjeshtë sepse ishte Nënë Tereza, me të gjitha kërkesat që i vinin për të marrë pjesë në ngjarje të ndryshme, për t’u takuar me njerëz të ndryshëm, të gjitha këto të bënin të mendoje se ajo kishte çdo gjë të nevojshme në jetën e saj, por megjithë mungesat që ndjente, megjithë dyshimet që shprehte, ajo punonte çdo ditë nga mëngjesi deri në orët e vona të natës në ndihmë të më të varfërve të botës.

Zëri i Amerikës: Atë Brian, ç’mendoni ju, si do të donte Nënë Tereza të mbahej mënd?

Atë Brian: Në gurin e varit të saj në Kalkutë u vendos një pllakë fare e thjeshtë në të cilën ka një varg nga Bibla e librit të Xhonit, ku thuhet: Ky është parimi im, duajeni njëri-tjetrin. Po të kihet parasysh jeta dhe puna e saj, unë do të thosha se ajo është një mësuese e madhe dhe mishërim i dashurisë. Nënë Tereza me misionin e saj bënte gjëra të thjeshta: ushqente të uriturin, kujdesej për të sëmurin dhe shprehte dashuri për të braktisurin, pikërisht atë dashuri që ajo ndjente se i vinte nga Krishti. Dashurinë që kishte për Krishtin ajo ia transmetonte njerzve më të varfër dhe më në nevojë të botës. Ajo bënte gjëra të vogla me dashuri të madhe. Nënë Tereza është jo vetëm një njeri i admirueshëm, por nga ajo ne mund të mësojmë. Ajo fliste gjithnjë rreth kënaqësisë për t’i dashur njerëzit e tjerë. Nga jeta dhe trashëgimia e Nënë Terezës ne mund të mësojmë se sa më shumë që përqëndrohemi tek vetja jonë, të duam Zotin, të duam fqinjin, fryti i kësaj është kënaqësia vetë dhe dashuria që ndjejmë ne vetë. Pra unë mendoj se Nënë Tereza është një shembull i mrekullueshëm se çfarë është dashuria dhe si të jemi të gëzuar në botën e sotme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG