Lidhje

Kisha e ateistëve


Ateistët, sipas përkufizimit, nuk besojnë në Zot. Pra, ata duhet të mos kishin nevojë për një kishë. Por, dy vjet më parë, dy komedianë britanikë vendosën të krijonin një të tillë. Sanderson Jones dhe Pippa Evans i thanë BBC-së se ata parashikuan "diçka të ngjashme me një kishë, por pa Perëndi". Lëvizja e tyre "Kuvendi i së dielës" është rritur nga një grupim i vetëm në Londër në dhjetëra kisha në mbarë botën. Materiali në vazhdim na njeh me anëtarët e Asamblesë të së dielës që tashmë mblidhet rregullisht në Nashville, të shtetit Tenesi.

Është koha për Kuvendin ateist mujor, që mblidhet në këtë mëngjes të ngrohtë të diele në një park në qendër të Nashville. Tubimi vërtetë duket dhe të bën të ndihesh si në kishë. Ka këngë – sot janë të gjitha melodi të Beatles – lexime pjesësh, një mesazh, si dhe dhurime në fund të shërbimit. Anëtari nismëtar i Kuvendit të Nashville Landry Batler thotë se kisha ofron një model të mirë për krijimin e ndjenjës së komunitetit.

"Është një mënyrë e fuqishme për të bashkuar njerëzit rreth të mirës së përbashkët dhe për ta përdorur atë energji. Pra, ne u përpoqëm ta përdornim si një model. Sepse kjo është diçka që njerëzit këtu e njohin."

Kisha është veçanërisht e njohur në këtë rajon. Normat e pjesëmarrjes fetare në Tenesi janë nga më të lartat në vend. Për këtë arsye zoti Batler thotë se ai habitet gjithmonë se sa shumë njerëz vijnë në Kuvendin e ateizmit.

"Ata kthehen në kishat e tyre të zakonshme të dielat e tjera të muajit, dhe pastaj vijnë dhe rrinë me ne kur munden. Dhe kjo ka qenë një mënyrë e mirë për të lidhur këto dy grupe njerëzish."

Hapësira mes besimtarëve dhe ateistëve ka qenë gjithmonë e tensionuar dhe nganjëherë armiqësore, por Batler thotë se Kuvendi nuk është i interesuar në konflikt.

"Ka shumë ateistë që duan të kritikojnë njerëzit fetarë, por ne nuk jemi të tillë. Ne duam të jemi gjithëpërfshirës."

Një shembull i mirë i kësaj përfshirjeje tregohet rregullisht në një qendër lokale për të pastrehët. Vullnetarë nga Kuvendi i së dielës ndihmojnë vazhdimisht për të servirur ushqim në sallën e një mense të krishterë që i shërben të pastrehëve të Nashville. Grupi përgatit ushqimin, e shërben, dhe ndërvepron me burrat dhe gratë që vijnë për një vakt të ngrohtë. Elvis Wilson thotë se një prej vlerave thelbësore të Kuvendit të së dielës është "ndihmo shpesh."

"Si ateist, unë dua që njerëzit të dinë se unë kujdesem për të tjerët dhe se ne kemi vlera morale. Ne jetojmë në të tashmen. Ne duam të sigurohemi që njerëzit trajtohen me respekt dhe kujdesin e duhur."

Lëvizja Asambleja e së dielës ka përjetuar një rritje shumë të vrullshme. Në fund të shtatorit, më shumë se 30 kuvende të reja u mblodhën brenda një e diele të vetme.

Themeluesit – humoristët britanikë Sanderson Jones dhe Pippa Evans – janë tani duke mbledhur fonde për të financuar një faqe interneti që ata shpresojnë se do të ndërlidhë këtë lëvizje globale.

XS
SM
MD
LG