Lidhje

Presidentja e Kosovës Jahjaga viziton Shqipërinë


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga zhvilloi sot vizitën e parë zyrtare në Tiranë me ftesë të presidentit të Shqipërisë Bujar Nishani në vazhdën e marrëdhënieve të ngushta midis të dy vendeve. Në një konferencë të përbashkët, Presidenti Nishani theksoi se midis Shqipërisë dhe Kosovës janë nënshkruar mbi 80 marrëveshje, që tani duhen zbatuar, për t'u bërë model i bashkëpunimit në rajon.

Nga ana tjetër, zoti Nishani tha se Shqipëria mirëpriti bisedimet Kososvë-Serbi si dhe ngritjen e gjykatës Spaciale për të hetuar pretendimet për krime lufte në Kosovë.

“Shqipëria e mirëpriti dhe mbështeti krijimin e Gjykatës Speciale për hetimin e pretendimeve për krime lufte në Kosovë, duke vlerësuar se marrja e këtij vendimi ishte e vështirë por e duhura, pasi vetëm kështu mund të hidhen poshtë të gjitha pretendimet e ngritura. Asgjë dhe askush nuk e eklipson apo tjetërson dot luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në përballjen me agresionin dhe gjenocidin çnjerëzor millosheviçian mbi baza etnike të ushtruar mbi popullin e Kosovës. Përpjekjen heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të Kosovës e mbështetën fuqimisht SHBA-të, NATO, Bashkimi Europian dhe sot ky solidaritet mban emrin pavarësi” - tha presidenti Nishani.

Presidenti Nishani dhe Presidentja Jahjaga theksuan gadishmërinë e të dy vendeve për të bashkëpunuar me të gjithë vendet e rajonit në dobi të paqes, qëndrueshmërisë dhe zhvillimit ekonomik, duke mbështetur njëra-tjetrën dhe fqinjët në integrimet tyre euro-altantike, si Maqedonia, Mali i Zi dhe të tjerë. Zonja Jahjaga vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë gjatë ndërtimit të shtetit të Kosovës dhe tani me projekte të përbashkëta ekonomike dhe infrastrukturore.

“Ne kemi neojë të bashkëpunojmë më shumë dhe në shumë fusha. Kosova nuk ka burim tjetër më të afërt zhvillimi dhe mbështetje se sa Shqipëria. Duhet të bëjmë shumë më tepër në ekonomi, në shkollim dhe në integrime” - theksoi zonja Jahjaga.

Pas takimit me presidentin Nishani dhe përfaqësues të tjerë të shtetit shqiptar presidentja Jahjaga mbajti një fjalim në parlamentin e Shqipërisë, ku sërish theksoi ndihmën që vendi i saj ka marrë nga Shqipëria në procesin e integrimit euro-atlantik, në forcimin e institucioneve demokratike, shtimit të njohjeve ndërkombëtare dhe anëtarësimit në organizatat e ndryshme rajonale e ndërkombëtare.

Zonja Jahjaga tha se Shqipëria po e përkrah Kosovën në zhvillimin demokratik e shoqëror, ndërsa marrëdhëniet mes dy vendeve janë themelore për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e rajonit. Ajo vuri në dukje edhe bashkëpunimin mes të dy vendeve dhe partnerë të tjerë për të goditur ekstremzimat dhe terrozimin ndërkombëtar.

Presidentja Jahjaga u takua me autoritetet më të larta të shtetit shqiptar, Presidentin Nishani, kryetarin e parlamentit Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama, të cilët vlerësuan lart këto marrëdhënie dhe u angazhuan për rritjen e bashkëpunimit dypalësh në shkëmbimet ekonomike, tregtare, në arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe çështje të tjera rajonale.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e nderoi Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, duke i dorëzuar “Çelësin e Qytetit”, në një ceremoni, ku u diskutua për forcimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Tiranës.

Kështu Shqipëria dhe Kosova po ndërtojnë një bashkëpunim të ngushtë në shumë fusha me dobi të dyanshme.

Qeveritë e dy vendeve kanë zhvilluar mbledhje të përbashkëta dhe kanë në duar projekte dhe investime konkrete, ndërsa Shqipëria po ndihmon edhe procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG