Lidhje

Atletë olimpikë afrikanë qëndrojnë në Londër


Lojërat Olimpike 2012 përfunduan kohët e fundit, por duket se disa nga atletët kanë qëndruar në Britani për të kërkuar azil. Rreth 15 konkurrentë afrikanë kanë zgjedhur të mos kthehen në vendet e tyre, duke përfshirë edhe personin që mbajti flamurin për Eritrenë.

Vrapuesi i maratonës nga Uganda, i cili fitoi medaljen e artë, u kthye këtë javë në vendin e tij i pritur me një paradë, një mirëseardhje presidenciale dhe duke marrë një çek prej 80 mijë dollarësh.

Por jo të gjithë konkurrentët olimpikë të Afrikës janë pritur në vendet e tyre si Stephen Kiprotich i Ugandës.

Në fakt, të paktën 15 prej tyre duket se kanë lënë fshatin olimpik duke kërkuar azil në Britani.

Në fillim, shtatë atletë të delegacionit nga Kameruni u larguan nga fshati olimpik gjatë Lojrave, pa ndonjë shpjegim. Vendndodhja e tyre është ende e panjohur. Burime të afërta me delegacionin olimpik të Kamerunit në Londër i thanë Zërit të Amerikës se atletët u larguan në kërkim të mundësive ekonomike jashtë vendit.

Më pas, një stacion radioje i Kombeve të Bashkuara njoftoi se katër anëtarë të delegacionit olimpik të Kongos ishin zhdukur.

Dhe më së fundi, njeriu i zgjedhur për të mbajtur flamurin e Eritresë në ceremoninë e hapjes së Olimpikeve, vrapuesi i garave me pengesa Weynay Ghebreselasie, kërkoi azil politik së bashku me tre anëtarë të tjerë të delegacionit nga Eritrea. Tre anëtarët e tjerë të grupit kanë kërkuar të mos identifikohen për shkak të frikës rreth sigurisë së tyre.

Atletët eritreanë u bashkohen kështu dhjetëra bashkështetasve të tyre, të cilët kanë zgjedhur të mos kthehen në vend, gjatë dekadës së fundit. Midis tyre, ka patur dhe ekipe të plota futbolli.

Weynay, i cili nuk u kualifikua në finalen e vrapimit me pengesa për meshkuj, tha se ai mendonte se kushtet në vendin e tij duket të jenë duke u përkeqësuar.

Aaron Berhane, një zëdhënës me bazë në Toronto i grupit për Solidaritet ndaj Rinisë së Eritresë, tha se atletët janë larguar për të njëjtën arsye sikundër mijëra shtetas të tjerë nga Eritrea.

"Në Eritre, ne kemi një regjim shumë diktatorial. Nuk ka liri fjale, nuk ka liri të lëvizjes, nuk ekziston liria e fesë. Vendi është nën një qeveri totalitare."

Këta atletë afrikanë që rezultojnë të zhdukur kanë disa gjëra të përbashkëta. Të gjitha vijnë nga vende të gjymtuara nga varfëria, korrupsioni dhe udhëheqës në fuqi prej një kohe të gjatë, të cilët refuzojnë të heqin dorë nga pushteti.
XS
SM
MD
LG