Lidhje

Atmosfera politike në Kongresin amerikan në kohë vendimesh kyçe


Atmosfera politike në Kongresin amerikan në kohë vendimesh kyçe
Atmosfera politike në Kongresin amerikan në kohë vendimesh kyçe

Në javët në vijim, Kongresi amerikan do të shqyrtojë çështjen e tavanit të borxhit në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të mund të vazhdojnë të marrin hua për të shlyer borxhin kombëtar, që së shpejti pritet të kalojë 14 trilion dollarët. Siç njofton korrespodenti i Zërit të Amerikës, Xhim Mallon, debati mbi ngritjen e tavanit të borxhit zhvillohet në mes të një atmosfere politike të polarizuar këtu në Uashington.

Votimi mbi tavanin e borxhit do të jetë një përballje e rëndësishme politike me ndërlikime kombëtare dhe ndërkombëtare. Sekretari amerikan i Thesarit Timothi Gajtnër thotë se dështimi për të shtuar kufirin e borxhit do të bëjë që Shtetet e Bashkuara të mund të mos paguajnë kreditë. Kryetari i Komisionit të Senatit për Buxhetin, demokrati Kent Konrad, foli për programin televiziv “Fox News Sunday”:

"Ky është moment përcaktues dhe na duhet të vendosim si komb. A do të bëjmë disa gjëra që duhet të bëjmë, edhe pse nuk na pëlqejnë, apo do të presim më të keqen?”

Shumë republikanë e kundërshtojnë ngritjen e tavanit të borxhit, duke argumentuar se kjo është koha për të detyruar Shtetet e Bashkuara që të ndalojnë atë që ata e shohin si cikël shpenzimesh dhe huamarrjesh të tepruara. Ata thonë se çdo përpjekje për të ngritu kufirin e borxhit duhet të lidhet me shkurtime të thella buxhetore.

Disa nga këta republikanë fituan mbështetjen e aktivistëve të lëvizjes “Tea Party” në zgjedhjet për Kongres të vitit të kaluar. Tani mbështetësit e lëvizjes “Tea Party” po kërkojnë që ligjvënësit të mbajnë fjalën e tyre për një qeveri më të vogël ose të përballen me zemërimin e tyre në zgjedhjet e ardhshme.

Analistët politikë thonë se e gjithë kjo ka çuar në një mjedis politik tepër partiak në Uashington. Ish senatori Bob Benet thotë se i njeh shumë mirë rrethana të tilla:

“Politikanët në Uashington janë në një pozitë tepër të vështirë. Ne duhet të merremi me çështjen nëse do t’i përmbushim detyrimet dhe të shlyejmë borxhet ose nuk do ta bëjmë këtë për shkaqe ideologjie sepse në të vërtetë ky është ndikimi i votimit për ngritjen e tavanit të borxhit”.

Zoti Benet është republikan, i cili humbi ndaj kundërshtarëve më konservatorë brenda partisë ndërsa kandidonte për mandatin e katërt si senator i shtetit Jutah.

Atmosfera partiake që po përshkon Uashingtonin mund t’ua vështirësojë republikanëve dhe demokratëve arritjen e një kompromisi, jo vetëm rreth ngritjes së kufirit të borxhit, por edhe në gjetjen e gjuhës së përbashkët mbi buxhetin federal për vitin e ardhshëm.

Majki Eduards, ish-përfaqësues republikan nga Oklahoma, është veteran i betejave partiake në Uashington. Ai doli në pension pas zgjedhjeve të vitit 1992 dhe ka kaluar disa vjet në qarqe akademike, përfshirë edhe detyrën e tij të tanishme në Institutin Aspen këtu në Uashington.

“Mbizotërimi i partisë tani, fitoret e partisë në zgjedhjet e ardhshme janë aq të rëndësishme saqë të dy partitë janë në luftë me njëra-tjetrën gjatë gjithë kohës. Fushata vetëm vazhdon, kështu që gjithmonë ka luftë. Dhe ne po e paguajmë çmimin sepse nëse ty të kam armik, më duhet të të mund që të jem në gjendje të arrij diku. Është shumë e vështirë që palët të ulen e të mirren vesh”.

Megjithë ndasitë partiake dhe humbjen e tij vitin e kaluar, ish-senatori Benet thotë se shpreson që të dyja palët të arrijnë marrëveshje mbi rritjen e tavanit të borxhit.

“Mendoj se shumë nga këta njerëz po dalin më seriozë nga sa kemi menduar. Prandaj, jam optimist se ne do të ngremë kufirin e borxhit dhe do të vazhdojmë të paguajmë borxhet”.

Por optimizmi i zotit Benet duket se nuk përkon me anketat e fundit të opinionit publik që tregojnë se rreth 70 për qind e amerikanëve besojnë se Shtetet e Bashkuara janë në rrugën e gabuar dhe gati dy të tretat besojnë se vendi po përjeton rënie.

Anëtarët e Kongresit kthehen në Uashington javën e ardhshme, pas një pushimi dyjavor. Gjatë asaj kohe, shumë ligjvënës do të kenë zhvilluar takime me votuesit dhe të kenë dëgjuar shumë për tavanin e borxhit, buxhetin dhe uljen e shpenzimeve qeveritare.

XS
SM
MD
LG