Lidhje

Të paktën 12 të vrarë gjatë sulmit në Universitetin Amerikan në Kabul


Policia afgane tha se të paktën 12 veta janë vrarë dhe 37 janë plagosur gjatë sulmit gati dhjetë orësh në Universitetin Amerikan të Afganistanit në Kabul.

Në mesin e të vrarëve janë shtatë studentë si dhe tre pjesëtarë të policisë dhe një roje, tha zëdhënësi i ministrisë së Brendshme Sediq Sediqqi.

Më shumë se 700 studentë dhe punonjës janë shpëtuar pasi kishin mbetur të ngujuar në kompleksin e universitetit.

Sulmi filloi me një shpërthim rreth orës 6:30 të mbrëmjes së të mërkurës dhe forcat e sigurisë ndërhynë menjëherë. Zyrtarët thanë se ishte “një sulm kompleks”.

Zyrtarët e policisë thanë se të paktën dy sulmues janë vrarë.

Një student i ngujuar në kampus, i tha agjencisë së lajmeve Reuters nëpërmjet telefonit se ishte mbyllur në një sallë me disa të tjerë dhe se po dëgjonin breshëri të shtënash përjashta.

Një student që arriti të ikte, Massoud Hossaini, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press, se ai po ashtu ishte ngujuar me disa studentë të tjerë në një sallë mësimi dhe ishin barrikaduar duke vendosur banka e karrige në derë. Ai tha se ka arritur të ikë nëpërmjet dyerve emergjente të universitetit.

Një student tjetër, Roman Dehsabzwal, i tha Radio Afganistanit të Lirë se ai ishte në sallën e mësimit kur dëgjuan shpërthimin që theu dritaret. Ai tha se bashkë me dy studentë të tjerë kishin kërcyer nga dritaret e katit të dytë duke ikur.

Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Departamenti amerikan i shtetit e dënoi dhunën duke e cilësuar atë si "sulm mbi të ardhmen e Afganistanit".

Më herët gjatë këtij muaji, një profesor amerikan dhe kolegu i tij nga Australia janë rrëmbyer. Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për rrëmbimin dhe vendndodhja e profesorëve mbetet e panjohur.

Universiteti është hapur në vitin 2006 me mbështetjen amerikane.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG