Lidhje

Aung San Suu Kyi merr Medaljen e Artë të Kongresit


Pas ceremonisë, udhëheqësja e opozitës birmaneze u takua me Presidentin Obama, në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti Barack Obama dhe udhëheqësja e opozitës birmaneze Aung San Suu Kyi u takuan për herë të parë. Dy laureatët e çmimit Nobel për Paqe biseduan në Shtëpinë e Bardhë, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara hoqën sanksionet ndaj presidentit dhe kryetarit të parlamentit të Birmanisë.

Takimi me dyer të mbyllura ishte pjesë e udhëtimit të parë në SHBA të udhëheqëses për demokraci në Birmani, që kur qeveria ushtarake e liroi atë pas15 vitesh arresti shtëpiak, në vitin 2010.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë të publikuar pas takimit, thuhej se presidenti Obama i shprehu zonjës Aung San Suu Kyi, admirimin e tij për guximin, vendosmërinë dhe sakrificën personale të saj në luftën për demokraci dhe për të drejtat e njeriut.

Zoti Obama gjithashtu vlerësoi përparimin që udhëheqësja për demokraci dhe presidenti i Birmanisë kanë bërë duke punuar së bashku për reformat e vendit.

Vizita e zonjës Aung San Suu Kyi në Shtëpinë e Bardhë u zhvillua pas një ceremonie, gjatë të cilës asaj iu dha Medalja e Artë e Kongresit, nderi më i lartë civil që Kongresi amerikan mund të japë.

Anëtarët e Kongresit amerikan të të dyja dhomave e të të dyja partive të mëdha politike u mblodhën për të nderuar udhëheqësen e opozitës birmaneze, të cilës Medalja e Artë e Kongresit i ishte dhënë më parë në vitin 2008, ndërsa ajo ishte ende nën arrest shtëpiak në Birmani, që zgjati për 15 vjet. Dje, ajo ishte personalisht në ndërtesën rrumbullake të Kapitolit, për të pranuar nderin, e rrethuar nga udhëheqësit e kongresit.

Udhëheqësi i pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell, ka qenë një mbështetës i fortë i zonjës Suu Kyi dhe i lëvizjes për demokraci në Birmani, për gati dy dekada.

"Dhe është e pamundur që sot, pas gjithë këtyre viteve, të mos tronditesh prej mendimit, që kjo revolucionare e pazakontë ende ndjen mungesën e realizimit të dëshirës më të thellë të zemrës së saj."

Shumë nga ligjvënësit që folën përmendën sakrificat e mëdha personale të Aung San Suu Kyi-së për çështjen tek e cila ajo besonte. Junta ushtarake e Birmanisë e ndau atë nga familja e saj dhe ajo nuk u lejua as të vizitonte burrin e saj kur ai ishte duke vdekur nga kanceri.

Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton theksoi se zonja Suu Kyi nuk ishte e kënaqur nëse do të mbetej vetëm një simbol i demokracisë, një ikonë, por ajo po vazhdon luftën si anëtare e parlamentit në Birmani.

"Kjo është diçka pothuajse tepër e bukur për t’u besuar, mikesha ime, që ju ndodheni këtu në sallën rrumbullake të ndërtesës së Kongresit tonë, qendra e demokracisë sonë, si një anëtare e zgjedhur e parlamentit tuaj."

Pas vërshimit të të gjitha lavdërimeve mbi të, zonja Suu Kyi foli me një ton të butë gjatë përgjigjes së saj.

"Kjo është një nga ditët më emocionuese të jetës sime; të jem këtu në një sallë të pandarë, në një dhomë të bashkuar për të mirëpritur një të huaj nga një vend i largët. Megjithatë, unë nuk ndihem si një e huaj, sepse shoh shumë fytyra të njohura si dhe fytyra që janë të reja për mua, por të njohura për atë që kanë bërë për vendin tim dhe për çështjen tonë."

Gjatë vizitës së saj në SHBA Aung San Suu Kyi, ka bërë thirrje që sanksionet amerikane kundër Birmanisë të hiqen. Në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës, të martën, ajo tha se sanksionet kishin ndihmuar për t'i bërë presion ushtrisë që të bënte reforma, por ajo shtoi se tani ishte koha për popullin e Birmanisë të qëndrojë më vete.

SHBA hoqën dje sanksionet për presidentin e Birmanisë Thein Sein dhe për kryetarin e parlamentit Thura Shwe Mann. Pa komentuar, Departamenti i Thesarit i hoqi të dy nga lista e individëve dhe kompanive të akuzuara për lidhje me terrorizmin, narkotikët apo me aktivitete të tjera të paligjshme.
XS
SM
MD
LG