Lidhje

Studime të reja për lidhjet mes autizimit dhe kimikateve në mjedis

  • Zulima Palacio

Gjatë dekadës së fundit rastet e njoftuara të autizimit dhe sëmundjeve të tjera të lidhura me zhvillimin e trurit janë shtuar së tepërmi jo vetëm në SHBA, por në të gjithë botën. Shkencëtarët thonë se shtimi i këtyre rasteve nuk mund të shpjegohet nga gjenetika dhe ata mendojnë se lidhet me shtimin e kimikateve toksike që gjenden në mjedis. Në vazhdim ju njohim me mendimin e disa shkencëtarëve për këtë çështje:

Mjekja Marta Herbert është neuropediatre në spitalin e përgjithshëm të Massachusetsit. Ajo drejton një studim mbi kimikatet toksike në ambjent dhe ndikimin e tyre tek zhvillimi i trurit, përfshi autizmin.

“Gjenet mbushin armën, por është mjedisi ai që tërheq këmbëzën.”

Për vite me radhë, shkencëtarët kanë besuar se faktorët e mjedisit mund ta shkaktojnë, ose mund ta përkeqësojnë një sëmundje. Ajo thotë se zbulimi i këtyre elementeve në vitet e hershme të jetës dhe ndryshimi i tyre mund të përcaktojnë se sa e rëndë është sëmundja.

"Në trupin e njeriut ka një sistem të quajtur sistemi i detoksifikimit. Gjatë këtij procesi ndodh pastrimi nga mbeturinat që krijon trupi i njeriut, ose që mund të jenë marrë nga ndotja e ajrit, lëndët plastike që gjenden tek ushqimet, apo pesticidet që gjenden tek një numër i madh produktesh."

Në studimin e mjekes Herbert-it u përfshinë foshnje të porsalindura, fëmijë të moshës shkollore dhe të rritur, që vuanin, ose jo nga autizimi.

Ajo po përpiqet të zbulojë se si truri i njeriut preket nga autizimi dhe në çfarë mase.

Ajo ndoqi nga afër zhvillimin e vëllezërve Kenzie dhe Cooper, të cilët nuk vuajnë nga autizmi. Si edhe të tjerë të përfshirë në studimin e saj, mjekja u bën rregullisht analiza për lëndë kimike, ndryshime të trurit dhe çrregullime të zhvillimit personave të përfshirë në studim.

Jamie Fanella, koordinator i studimeve, i bën analiza Cooperit.

"Unë jam përkushtuar që të bëj analiza dhe në se është e vërtetë, të tregoj se ndikimi i kimikateve në tru nuk ndodh vetëm gjatë zhvillimit, por gjatë të gjithë jetës së njerëzve."

Mjekja Herbert nuk është e vetme në vëzhgimin e mjedisit. Dr. Larry Silver është professor i Psikiatrisë në Universitetion Georgetown të Washingtonit. Ai ka studjuar pacientë me aftësi të kufizuara për më tepër se 40 vjet. Ai thotë se kimikatet helmuese në mjedisin tonë përbëjnë me të vërtetë shqetësim për shëndetin.

"Ne kemi përherë e më tepër shqetësim se lëndët toksike në mjedis mund të kontribuojnë tek sëmundjet që lidhen me trurin dhe po ashtu mund t’i shtojnë ato."

Në SHBA rreth 3 milionë njerëz janë diagnostikuar me autizëm. Ndërsa në vitin 1994 një në çdo 1 mijë fëmijë ishte diagnostikuar me këtë sëmundje, sot kjo shifër është 1 në çdo 110 vetë. Jeff Sell i Shoqatës së Autizimit thotë se shifrat në mbarë botën tregojnë rritje.

"Ky shtim i numrit të personave me autizëm nuk shpjegohet vetëm gjenetikisht."

Dy prej 4 fëmijëve të Jeff Sellit janë me autizëm, megjithëse ata nuk e kanë patur sëmundjen trashëgimi familjare.

"Djemtë e mi kanë nivele të larta të mërkurit dhe plumbit, në organizëm."

Për shumë vite me radhë, përkrahësit e pacientëve me autizëm mendonin se sëmundja shkaktohet nga vaksinat, sidomos nga ajo e fruthit. Por disa studime arritën në përfundimin se nuk ka lidhje mes vaksinave dhe autizmit.

Tani Jeff Sell dhe shoqata e Autizimit po ushtron presion për rishikimin e ligjit për kimikatet toksike. Ai thotë se në mjedisin tonë çlirohen më tepër se 82 mijë kimikate, por informacione të mjaftueshme ka vetëm për 200 prej tyre. Ai thotë se pasojat po i ndjejnë jo vetëm njerëzit, por edhe bota ku jetojmë.

XS
SM
MD
LG