Lidhje

Shqipëri, shtohen rastet me autizëm


Në Shqipëri, po shtohen rastet e fëmijëve me autizëm dhe masat mjekësore për t'u përballur me këtë sëmundje të re, për të cilën dihen ende pak shkaqe dhe trajtime.

Qendra Kombëtare e mirërritjes, zhvillimit dhe rehabilitimit të fëmijëve po përpiqet të ndihmojë sa më shumë familje në këtë përballje të vështirë.

Rritja e rasteve e forcon sfidën, dhe e vështirëson problemin edhe nga ana sasiore. Ndërsa mjekët kanë marrë në duar protokollet bashkëkohore për zbulimin dhe trajtimin e autizmit.

Qendra Kombëtare e mirërritjes, zhvillimit dhe rehabilitimit të fëmijëve po fuqizon çdo ditë kapacitetet e veta, sepse çdo ditë po shtohen rastet e fëmijëve të prekur nga autizmi. Qendra e vetme shtetërore duhet të mbulojë nevojat e gjithë vendit, ndaj strehon çdo dy javë 30 fëmijë me probleme zhvillimi, pa llogaritur ata që trajton çdo ditë në mënyrë ambulatore. Mjekët pohojnë se bashkë me shtimin e rasteve me autizëm po rritet ndërgjegjësimi i mjekëve dhe prindërve për problemet që hasin me fëmijët, si vonesat në të folur, apo edhe çrregullimet e spektrit të autizmit, që janë vështirësia më e madhe.

Një numër i konsiderueshëm fëmijësh kanë vështirësi në të folur dhe shfaqin vonesa të zhvilimit mendor, paaftësi intelektuale, dhe mjekët janë aftësuar për të gjetur me metoda bashkëkohore sëmundjet me testet e inteligjencës dhe rrugë të tjera. Deri dje pediatrit këto i kalonin pa i vënë re dhe kujdeseshin vetëm për anën fizike të fëmijëve, pesha, vaksinat, gjymtyrët etj, ndërsa tani studiojnë më shumë sjelljet e fëmijëve. Drejtoresha e qendrës kombëtare, dr. neuro-pediatre Migena Kika, thotë se numri i fëmijëve me probleme të zhvillimit në përgjithësi dhe të çrregullimeve autike në veçanti po rritet, por edhe kujdesi ndaj tyre është më i madh.

Stili i jetës, ndotja e mjedisit, faktorë genetikë janë disa nga shkaqet që dyshohet se sjellin çrregullimet e spektrit autik. Mjekët shqiptarë dhe të huaj dyshojnë se midis burimeve kryesore të autizimit janë stresi në familje, vetmia e fëmijëve të mbyllur në banesa para kompjuterave, televizorëve apo lojërave elektrnike, mungesa pra e lojërave në natyrë, shoqërimi me moshatarët.

Ashtu si shumë shtete më të zhvilluara edhe Shqipëria nuk e ka ende përgatitjen e duhur për t'u përballur me autizmin, sepse sëmundja është ende e pazbuluar në pëmasat e plota, trajtimi është i vështirë dhe i kushtueshëm më shumë se sa sëmundjet më të kushtueshme. Përveç mjekëve dhe qendrës së mirërritjes, një mbështetje të madhe i duhet dhënë edhe familjeve.

Mjekët pohojnë se për të përballuar autizmin, sekreti është zbulimi sa më i shpejtë i rasteve, dhe filimi sa më herët i trajtimit të tyre. Ka gati një vit që ministria e shëndetësisë ka miratuar udhërrëfyesit dhe protokollet e reja për të githë mjekët pediatër të këshillimoreve për trajtimit të fëmijëve. Këtej e tutje fëmijët në këshillimore do të studiohen për mirërritjen e tyre fizike dhe intelektuale, njëlloj si në gjithë vendet e botës së qytetëruar.

Qendra kombëtare e mirërritjes, zhvillimit dhe rehabilitimit të fëmijëve po përballet me autizmin me mjekë dhe terapistë, prindër dhe vullnetarë, me mbështetje të shumanshme, sepse nevojitet ndihma e gjithkujt për të trajtuar këtë sëmundje të vështirë dhe për të nxjerrë fëmijët e prekur nga këto vuajtje të panjohura deri dje, dhe ende të pazbuluara plotësisht.

XS
SM
MD
LG