Lidhje

Autoritetet e Kosovës dënojnë arrestimin e dy pjesëtarë të policisë nga Serbia


Autoritetet më të larta të Kosovës e kanë dënuar arrestimin e dy pjesëtarë të policisë së Kosovës në zonën kufitare me Kosovën, nga ana e autoriteteve të Serbisë.

Autoritetet e Serbisë thanë se kanë arrestuar dy pjesëtarë të policisë së Kosovës në zonën kufitare me Kosovën. Ministri serb i punëve të brendshme, Ivica Dacic, u tha mjeteve serbe të informimit se të dy pjesëtarët e policisë së Kosovës ishin të armatosur me pushkë automatike dhe me vete kishin pajisje për matjen e largësisë. Ai i identifikoi të arrestuarit si Shukri Binaku e Sami Beqiri të cilët sipas tij kishin më vete armë që paraqet, siç thotë ai, “shkelje drastike të marrëveshjes ushtarako-teknike, të nënshkruar në Kumanovë, më 1999”, duke ju referuar marrëveshjes së 9 qershorit të atij viti të nënshtruar ndërmjet autoriteteve të Beogradit dhe NATO-s më të cilën iu dha fund luftës në Kosovë. Ministri i brendshëm serb, Ivica Dacic, i cili drejton Partinë Socialiste të Serbisë, tha se secili që shkel këtë marrëveshje, do të arrestohet.

Ndërkaq, autoritetet në Prishtinë konfirmuan njoftimet për arrestimin e dy pjesëtarëve të policisë, por thanë se pjesëtarët e policisë kanë qenë duke patrulluar në zonën e përgjegjësisë së Policisë së Kosovës dhe nuk e kanë tejkaluar zonën e përgjegjësisë së tyre.

Arrestimin e dy pjesëtarëve të policisë së Kosovës e ka dënuar Presidentja e vendit Atifete Jahjaga, e cila e ka quajtur atë sulm mbi integritetin institucional e territorial të Republikës së Kosovës. Në një komunikate për opinion të presidentes thuhet se “arrestimet e shpeshtuara të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet e Republikës së Serbisë, nuk kontribuojnë në vendosjen e marrëdhënieve të mira ndërmjet dy vendeve".

Presidentja e Kosovës ka kërkuar nga autoritetet e Serbisë që të heqin dorë nga “këto provokime dhe veprime arbitrare ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj dhe të lirojnë të gjithë ata që janë arrestuar pa arsye", thuhet në komunikatën e presidentes Jahjaga.

Edhe qeveria e Kosovës e ka dënuar arrestimin duke e quajtur atë një akt qyqar të qeverisë së Serbisë dhe në kundërshtim me vlerat evropiane të fqinjësisë së mirë.

Në një komunikate për opinion të qeverisë thuhet se arrestimi “cenon rëndë marrëveshjet e arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky akt cenon rëndë raportet në mes të dy shteteve të pavarura, Kosovës dhe Serbisë".

Në komunikatë, qeveria u bën thirrje të gjitha institucioneve ndërkombëtare, “që të ndërmarrin hapat e domosdoshëm, për të ndikuar te Beogradi zyrtar, për t'i ndalur këto veprime arbitrare dhe të kundërligjshme".

"Qeveria e Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria e Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të bëjë lirimin e policëve kosovarë", thuhet në komunikatën e qeverisë së Kosovës.

Arrestimet e sotme pasuan paralajmërimet e ministrit serb të punëve të brendshme se autoritetet e Serbisë do të kundërpërgjigjen ndaj arrestimeve të serbëve nga ana e autoriteteve të Prishtinës. Të hënën policia e Kosovës arrestoi katër pjesëtarë të komunitetit serb që po bartnin materiale për zgjedhjet e Serbisë, me çka sipas policisë, ata kishin shkelur rendin kushtetues të Kosovës.

Në kundërpërgjigje policia serbe arrestoi dy shqiptarë, përfshirë Hasan Abazin, kryetar i sindikatave të industrialistëve të Kosovës derisa po udhëtonte për në Kroaci nëpërmjet territorit të Serbisë.

Këto zhvillime nxitën reagime të shumta përfshirë edhe departamentin amerikan të shtetit, Bashkimin Evropian si dhe organizata e ndryshme ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilat bënë thirrje për shmangie të veprimeve që mund të nxisin tensionet të cilat edhe ashtu u shtuan pas paralajmërimeve të Beogradit se do të organizojë zgjedhjet lokale edhe në Kosovë.

XS
SM
MD
LG