Lidhje

Autoritetet greke mirëpresin paketën e re të ndihmave nga BE dhe FMN


Autoritetet greke mirëpresin paketën e re të ndihmave nga BE dhe FMN
Autoritetet greke mirëpresin paketën e re të ndihmave nga BE dhe FMN

Greqia ka mirëpritur miratimin e një pakete të dytë me ndihma për të përballuar krizën financiare në vend. Paketa synon të parandalojë bllokimin financiar të Greqisë që rrezikonte të destabilizonte të gjithë eurozonën. Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar arritën dje një marrëveshje në Bruksel, e cila i ofron Greqisë një tjetër fond prej 155 miliardë dollarësh.

Ministri grek i Financave Evangjelos Venizelos shprehu “çlirim të madh” pas miratimit të paketës së ndihmave nga Bashkimi Evropian. Por ministri premtoi gjithashtu se do të vazhdojnë reformat për shkurtimin e shpenzimeve buxhetore.

“Duhet të vazhdojmë programet. Gjithmonë duhet të përqendrohemi në përmbushjen e objektivave që kemi përcaktuar për buxhetin kombëtar. Duhet të vazhdojmë të luftojmë evazionin fiskal që të arrijmë objektivat për të ardhurat kombëtare, duhet të vazhdojmë privatizimin në mënyrë që të arrijmë standarded që synojmë”.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti francez Nikola Sarkozi deklaruan dje se kanë miratuar një paketë të dytë ndihmash për Greqinë si dhe uljen e normave të interesit për këtë vend në mënyrë që të shmangin një krizë borxhesh në të gjithë eurozonën.

Vendet e eurozonës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ranë dakord për një paketë me vlerë 155 miliardë dollarë, që i shtohet paketës prej 156 miliardë dollarësh të miratuar vjet.

Aksionet greke e ndjenë menjëherë efektin e paketës së ndihmave. Bursa e Athinës shënoi sot rritje 0.4 për qind sapo u hap dita e shkëmbimeve.

Paketa ishte rrugëdalja nga një ngërç politik i autoriteteve politike të Evropës, që debatonin prej ditësh për mënyrat më efektive në përgjigje të krizës greke. Por shuma e premtuar nuk do të sjellë lehtësim të shpejtë për qytetarët grekë dhe angazhimet e qeverisë për vazhdimin e reformave mund ta keqësojnë edhe më shumë gjendjen e disa grekëve.

Në kafenetë e Athinës, ku në këtë stinë grekëve u pëlqen të ulen me një frape, apo pije tjetër të ftohtë, ka vite që është ndjerë pesha e krizës.

Manolis Volirakis ka pasur një kafene në Athinë që nga viti 2000:

“Që kur filloi kriza, fitimet kanë rënë 70 për qind. Gjatë 3 vjetëve të fundit është bërë çdo vit e më keq”.

Manolis e mirëpriti lajmin për paketën e re të ndihmave. Ai thotë se ka shpresë se periudha më e rëndë do të përfundojë me kaq. Për Bashkimin Evropian, shqetësimi kryesor ishte të shmangej një krizë financiare në ekonomi të mëdha të eurozonës, si Italia dhe Spanja, që mund ta vinin në pikëpyetje gjithë strukturën e përbashkët evropiane.

XS
SM
MD
LG