Lidhje

Autoritetet ndërkombëtare të sigurisë kërkojnë zhbllokimin e rrugëve në veriun e Kosovës

  • Leonat Shehu

Autoritetet ndërkombëtare të sigurisë kërkojnë zhbllokimin e rrugëve në veriun e Kosovës

Autoritetet ndërkombëtare të sigurisë kërkojnë zhbllokimin e rrugëve në veriun e Kosovës

Përfaqësuesit e serbëve pritet që sot në mbrëmje të takohen me Presidentin e Serbisë Boris Tadic, për të diskutuar mbi mundësitë e zgjidhjes së krizës.

Përfaqësuesit e serbëve në komunat veriore pritet që sot në mbrëmje të takohen me Presidentin e Serbisë Boris Tadic, për të diskutuar mbi mundësitë e zgjidhjes së krizës në veri. Edhe tre ditë pas nisjes së aksionit të forcave paqeruajtëse të NATO-s për largimin e barrikadave, rrugët kryesore që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë vazhdojnë të mbahen të bllokuara nga protestues serbë, në kundërshtim të synimeve të Prishtinës zyrtare për të vënë kontrollin mbi vendkalimet kufitare.

Përfaqësuesit politikë të serbëve në veriun e Kosovës thanë se janë të gatshëm të bëjnë largimin e pjesshëm të barrikadave në rrugët e zonës për të lejuar lëvizjen e trupave të NATO-s, por jo edhe heqjen e tërësishme të barrikadave. Ky qëndrim u bë i ditur pas një takimi që u mbajt dje në zyrat e Bashkimit Evropian në Mitrovicën veriore, ndërmjet përfaqësuesve të KFOR-it dhe EULEX-it me udhëheqësit lokal të serbëve në veri, ku u debatua lidhur me kërkesat e KFOR-it për heqjen e menjëhershme të barrikadave.

Përfaqësuesit politikë të serbëve në veri thanë se mund të lejojnë lëvizjen e lirë të forcave ndërkombëtare, por nuk pajtohen që nëpër të njëjtat rrugë të lëvizin edhe doganierët dhe policia kufitare e Kosovës, vendosjen e të cilëve në kufi e cilësojnë si shtrirje te shtrirje të shtetit të Kosovës që ata nuk e njohin.

Kryetari i komunës së Zveçanit, Dragisha Millovic tha se të dyja palët kanë paraqitur qëndrimet e tyre, por marrëveshja ende nuk është arritur. Ai shprehet i bindur se megjithatë mund të arrihet një marrëveshje për lëvizjen e lirë.

“Ne kemi kërkuar që forcat e NATO-s të mos përdorin dhunën, mirëpo gjenerali Drews është ushtarak dhe këtë garanci nuk ka mundur të na jap. Sinqerisht, shpresojmë që në një mënyrë do të arrihet një marrëveshje. Çështja e lëvizjes së lirë të forcave ndërkombëtare mund të zgjidhet, nëse EULEX-i nuk do të ndihmojë në bartjen e policisë së Kosovës dhe zyrtarët e doganave në vendkalimet kufitare”, tha zoti Millovic.

Ndërkaq, shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Policinë e Drejtësinë, Xavier de Marnac tha se liria e lëvizjes duhet të rivendoset shumë shpejt, sepse kjo është në të mirën e popullatës lokale dhe pranisë ndërkombëtare në Kosovë.

“Unë këmbëngula mbi nevojën për lirinë e lëvizjes. Ne presim që të rivendoset liria e lëvizjes për të gjithë në mënyrë që njerëzit të vazhdojnë jetën e tyre normale pa kufizime. Njerëzit e duan lirinë e lëvizjes dhe sundimin e ligjit. Ata që vendosin bllokadat rrugore duhet t’i zhvendosin ato. Këtë e presin edhe të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian”, tha zoti Marnak.

Forcat paqeruajtëse të NATO-s filluan të enjten një aksion për zhbllokimin e rrugëve që çojnë drejt vendkalimeve kufitare në veriun e Kosovës me qëllim të vendosjes së lëvizjes së lirë. Forcat e KFOR-i përdorën gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit që po kundërshtonin largimin e barrikadave. Aksioni la pas vetes 30 të plagosur, nga të cilët tetë pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të NATO-s dhe 22 protestues serb, plagë këto të shkaktuara kryesisht nga gazi lotsjellës.

Aksioni i forcave të NATO-s pasoi afatin e caktuar për zhbllokimin e rrugëve, por serbët në veriun e Kosovës refuzuan thirrjet e KFOR-it për të hequr barrikadat e ngritura në rrugët kryesore në atë zonë, në shenjë kundërshtimi ndaj vendosjes së policisë dhe doganierëve të Kosovës në vendkalimet kufitare me Serbinë.

XS
SM
MD
LG