Lidhje

Autoritetet në Kosovë, të gatshme për çdo lloj veprimi në veriun e vendit

  • Leonat Shehu

Autoritetet në Kosovë, të gatshme për çdo lloj veprimi në veriun e vendit

Autoritetet në Kosovë, të gatshme për çdo lloj veprimi në veriun e vendit

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, thotë se autoritetet vendase janë të gatshme për çdo lloj veprimi në veriun e vendit, nëse kjo gjë kërkohet prej tyre. Komentet e tij, pasuan gjendjen në veriun e Kosovës, ku rrugët që çojnë drejt vendkalimeve kufitare më Serbinë, vazhdojnë të mbahen të bllokuara nga grupe serbësh, ndërsa vendkalimet janë nën kontrollin e forcave paqeruajtëse.

Përfaqësuesit e serbëve thonë se nuk do të largohen nga bllokadat e vendosura që të hënën, kur njësitë e posaçme të policisë së Kosovës vunë nën kontroll vendkalimet kufitare me Serbinë. Grupe serbësh i vunë flakën njërit prej vendkalimeve kufitare ndërsa shtinë me armë zjarri edhe ndaj forcave të KFOR-it, të cilat morrën nën kontroll postat kufitare duke i shpallur ato zona të kufizuara ushtarake. Pjesëtarët e këtyre forcave kanë paralajmëruar përdorimin e forcës në rast të përpjekjeve për të sulmuar vendkalimet.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, thotë se bllokimi i rrugëve nga ana e serbëve është cështje e forcave paqeruajtëse.

“Kjo është çështje e KFOR-it dhe KFOR-i ka përmbajtje maksimale. Protestuesit keqpërdorin mirësinë e KFOR-it, ata vendosin gra, fëmijë e klerikë fetarë para barrikadave në mënyrë që t’i shmangin nga veprimet, dhe sa do të zgjatë ky durim i KFOR-it është çështje e tyre”, tha ministri Rexhepi, duke shtuar se barrikadat e serbëve janë pengesë reale për furnizimin e forcave paqeruajtëse.

Ministri Rexhepi thotë se policia e Kosovës nuk përzihet në këto raste, pasi që sipas tij, përgjegjësinë e kanë KFOR-i dhe EULEX-i.

“Policia e Kosovës në këto raste nuk përzihet për arsye se e kanë marr përgjegjësinë KFOR-i dhe EULEX-i, dhe pengesa është kryesisht për atë, nëse kërkohet prej policisë ne jemi të gatshëm, por në këtë rast nuk ka pasur kërkesë për policinë, ndërsa ne kur i marrim intervenimet tona i bëjmë vetë ose kërkojmë ndihmën e KFOR-it ose të EULEX-it”, tha ai.

Ministri Rexhepi, bëri të ditur se në vendkalimin në Bërnjak funksionon dogana dhe policia kufitare e Kosovës, ndërsa vendkalimi në Jarinjë është bllokuar për automjete të rënda dhe aty bëhet vetëm lëvizja e qytetarëve nën kontroll të rreptë.

Njësitë e posaçme të policisë së Kosovës, filluan të hënën në mbrëmje një operacion për vënien nën kontroll të dy vend kalimeve kufitare në veriun e banuar me shumicë serbe. Operacioni u urdhërua nga qeveria e Kosovës në përpjekje për të zbatuar vendimin për ndalimin e importeve nga Serbia, i cili nuk po zbatohej në atë pjesë të Kosovës ku nuk funksionojnë doganat e vendit. Një pjesëtar i policisë u vra në një sulm të armatosur ndaj njësive të posaçme në afërsi të Zubin Potokut, një nga komunat veriore me shumicë serbe.

Operacioni i policisë nuk u mbështet nga zyrtarët e Bashkimit Evropian të cilët thanë se ai u ndërmor pa këshillime paraprake me ta.

XS
SM
MD
LG