Lidhje

Autoritetet në Shqipëri përkujtuan 10 vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit


Autoritetet në Shqipëri përkujtuan 10 vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit
Autoritetet në Shqipëri përkujtuan 10 vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit

Në Shqipëri autoritetet kryesore të shtetit dhe të politikës shqiptare përkujtuan sot 10 vjetorin e sulmit terrorist mbi kullat binjake në Neë York më 11 shtator të 2001. Ndërsa vlerësojnë njëzëri se ajo përbën një nga ngjarjet më tronditëse të historisë, autoritetet shqiptare shprehin njëkohësisht edhe krenarinë që Shqipëria ishte ndër vendet e para që u reshtua në krah të shteteve të bashkuara në luftën kundër terrorizmit

Deklarata dhe mesazhe te ndryshme në 10 vjetorin e sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara u lëshuan sot nga autoritetet e larta shqiptare. Presidenti Bamir Topi në një mesazh dërguar presidentit amerikan Barack Obama ndërsa shpreh solidaritetin me të gjitha familjet e viktimave të atij sulmi thekson se “eshtë detyrë e gjithë popujve dhe qeverive të mbarë botës të bashkohen në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar si armik i paqes dhe i sigurisë globale”.

Kryeministri Berisha ndërsa e cilëson sulmin e 11 shtatort 2001 si "një akt terrorist, me mizorin në historinë e kohërave", shton se “ideatorët dhe ekzekutorët e tij besonin se do të mund të përkulnin flamurin amerikan i cili sot valëvitet më lart se kurrë”, shprehet në mesazhin e tij kryeministri duke kujtuar se sponsorët mbështetësit dhe organizatorët e atyre sulmeve sot kanë marrë ndëshkimin më të merituar. 11 Shtatori – thekson kryeministri shqiptar - është një apel për të gjithë njerëzit e lirë për një qëndrim të vendosur ndaj urrejtjes, intolerancës dhe fanatizmit të çdo lloji e të çdo ngjyre”.

Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto shprehet se “ngjarja tragjike e 11 shtatorit 2001, e cila shokoi mbarë botën, shënoi njëkohësisht edhe një epokë të re në angazhimin në një koalicion, të të gjithë popujve që kanë përqafuar parimet universale të lirisë kundër kërcënimit terrorist e paqes”.

Kryetari socialist Edi Rama në një shkrim të botuar mbi këtë ngjarje nënvizon se “11 shtatori ishte shpërthimi i një konflikti marramendës mes dy botësh, demokracisë dhe fashizmit të rishfaqur me armët e terrorit fondamentalist nën vellon islamike ku nuk fshihej profeti i madh i botës muslimane, po demonët e shkretëtirave morale e shpirtërore. 11 shtatori – shton ai - ishte rishfaqja në një formë të re e së keqes që bota e lirë e mendonte të zhdukur njëherë e mirë nga faqja e dheut me triumfin e përgjakshëm të Luftës së Dytë Botërore".

Ngjarja është përkujtuar edhe nga parlamenti i Shqipërisë, ndërsa kryebashkiaku i Tiranës Lulëzim Basha i ëhstë drejtuar me një mesazh homologut të tij të Neë Yorkut.

Përfaqësuesit më të lartë të politikës dhe shtetit shqiptar kanë shprehur njëkohësisht edhe krenarinë që Shqipëri u reshtua ndër vendet e para në krah të Shteteve të bashkuara në luftën kundër terrorizmit. “Shqipëria dhe shqiptarët, por dhe vendet e lira në tëresi, u janë mirënjohës qeverisë së SHBA dhe kombit amerikan për udhëheqjen e vendosur të luftës kundër terrorizmit botëror dhe arritjet historike në këtë luftë. Ata ndihen krenarë se qëndrojnë të rreshtuar me mikun e tyre të madh në mbështetje të kësaj lufte gjatë këtyre 18 viteve duke dhënë kontributin e tyre modest në rezultatet e saj”, shprehet kryeministri Berisha.

Ndërsa ministri i jashtëm Haxhinasto konfirmoi edhe një herë “vullnetin e Shqipërisë për të vazhduar të jetë në linjën e parë, në përmbushjen me përkushtim të angazhimeve të saj përkrah aleatëve dhe partnerëve të NATO-s, për të realizuar me sukses luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe garantimin e paqes dhe sigurisë në botë”.

Edhe kryetari socialist Rama shkruan se “11 shtatori i dhjetë vjetëve më vonë është një arsye për të qenë krenarë që për dhjetë vjet rresht dhamë, si komb e si shtet shqiptar, kontributin tonë në një luftë ku ishim ndër të parët që u vumë në dispozicion të Shtëpisë së Bardhë dhe nuk ngurruam asnjë sekondë të merrnim pjesë konsensualisht në të gjitha operacionet ushtarake apo të shërbimeve inteligjente që Shtetet e Bashkuara udhëheqin. Shqipëria – vë në dukje ai - ka bërë me dinjitet atë që i takon, sa i takon dhe si i takon”.

XS
SM
MD
LG