Lidhje

Autoritetet: Sulmi në Londër nuk ishte terrorizëm


Policia londineze tha sot se nuk ka zbuluar prova për radikalizim të somalezit që qëlloi mbrëmë për vdekje një grua dhe plagosi pesë të tjerë në qendër të Londrës. Për momentin akti nuk po analizohet si sulm terrorist, por si veprim i një njeriu me probleme mendore. Megjithë këto pohime të autoriteteve, banorët e kryeqytetit britanik shprehin tronditje dhe nervozizëm nga incidenti, i cili pason një seri sulmesh të përgjakshme në qytete evropiane gjatë muajve të fundit:

Policia e arrestoi 19 vjeçarin në Sheshin Russell Square, pranë Universitetit të Londrës. Ai po mbahet aktualisht nën arrest në një spital pranë zonës.

Gruaja që u godit për vdekje është identifikuar si një 60-vjeçare amerikane. Tre viktima të plagosura u mjekuan dhe kanë dalë nga spitali. Nuk dihet gjendja e dy të plagosurve të tjerë.

Shefi i policisë metrpolitane, Bernard Hogan-Howe tha se zona është e mbrojtur mirë, pasi aty pranë ndodhen objekte të rëndësishme:

“Në disa nga zonat më të njohura të Londrës, kemi vendosur patrulla policësh të armatosur – rreth Parlamentit, pranë rezidencës së kryeministres”.

Tradicionalisht policët e Londrës nuk mbajnë armë zjarri. Ky mbetet fakt për shumicën e 31 000 policëve, efektiv i departamentit policor të Londrës. Por kohët e fundit autoritetet kanë armatosur disa patrulla policore në pika strategjike të qytetit. Projekti i ri i armatosjes së disa patrullave, me emrin “Operacioni Herkuli” filloi në përgjigje të sulmeve terroriste që janë shënuar kohët e fundit në një numër qytetesh të mëdha evropiane.

“Të gjithë që i kanë ndjekur zhvillimet evropiane kohët e fundit e kuptojnë përse po duhet të tregohemi të vendosur për të mbrojtur popullatën. Jemi shumë seriozë në këtë mision në mbrojtje të popullatës së Londrës,” tha shefi i policisë.

Kryetari i bashkisë së Londrës shprehu ngushëllimet e tij për amerikanen e vrarë dhe u bëri thirrje londinezëve të ruajnë qetësinë, por edhe të mbeten vigjilentë dhe të njoftojnë autoritetet për aktivitete të dyshimta.

Reagimi në kryeqytetin britanik ka qenë i përzier. Sulmet e fundit në qytete të tjera evropiane i kanë shqetësuar disa prej tyre:

“Mendoj se sulmet e fundit në pjesë të tjera të Evropës kanë shkaktuar ankth tek popullata e Londrës këto kohë,” thotë londinezi Cal Strobe.

Ka njerëz që e shohin këtë si një rrezik shumë të vogël:

“Shoh statistikat. Në qendër të Londrës ka rreth 2 milionë banorë gjatë gjithë ditës. Një person u vra. Shanset janë shumë të vogla që të më bjerë mua ky fat. S’kam mënyrë tjetër si ta shoh për të ruajtur qetësinë,thotë londinezi Robert Burns.

Ndërkohë që autoritetet analizojnë faktet e këtij akti, banorët e lagjes përpiqen gradualisht t’i rikthehen normalitetit.

XS
SM
MD
LG