Lidhje

Përurohen punimet e autostradës Kërçovë-Ohër-Strugë


Sot në afërsi të Kërçovës u bë përurimi i fillimit të ndërtimit të autostradës nga Kërçova për në Ohër dhe Strugë. Autostrada me një gjatësi prej 57 kilometrash do të jetë sipas standardeve moderne; me gjerësi prej 23 metrash, nga dy korsi në secilin drejtim dhe hapsirë për t’u ndalur makinat. Do të ketë 19 mbikalime dhe nënkalime, 22 ura si dhe një tunel prej rreth dy kilometrash.

Projekti do të kushtojë 274 milionë Euro dhe do të realizohet nga kompania kineze “Synohidro Corporation Limited”, por në punime do të ketë mjaft kompani dhe punëtorë nga Maqedonia.

Autostrada që pritet të përfundojë pas katër vjetësh do të shkurtojë rrugën e tregtarëve dhe turistëve nga Maqedonia për në Shqipëri.

Autoritetet qeveritare kanë theksuar, me këtë rast, edhe pritjet për uljen e shkallës së papunësisë në këtë zonë perëndimore të vendit, për shkak të angazhimit të fuqisë punëtore dhe kompanive vendore.

Bizneset shqiptare dhe maqedonase e mirëpresin ndërtimin e kësaj pjese të autostradës që do t’ua lehtësonte atyre rrugën për në portin e Durrësit.
Ndërkohë, kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari u largua në shenjë pakënaqësie nga ceremonia, ku merrin pjesë kryeministri Nikolla Gruevski dhe pjesëtarë të qeverisë së tij, për shkak të mungesës së mbishkrimeve edhe në gjuhën shqipe në tabelat që shënonin fillimin e punimeve të autostradës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG