Lidhje

Raport fillestar për avionin e rrëzuar në Ukrainë


Hetuesit hollandezë thonë se avioni i Malaysia Airlines MH17, ka shumë mundësi të jetë shkatërruar në ajër mbi Ukrainën lindore, pasi u godit nga “objekte të shumta të fuqishme”. Raporti paraprak i bërë publik nga Bordi Hollandez i Sigurisë vjen afro 2 muaj pasi avioni u përplas, në territorin e kontrolluar nga kryengritësit në Ukrainë, duke shkaktuar vdekjen e 298 vetëve në bord.

Tjibbe Joustra, kreu i Bordit të Sigurisë që po drejton hetimin ndërkombëtar për shkaqet e ngjarjes, tha se do të duhej të paktën një vit që të dalë raporti përfundimtar. Në raport nuk thuhet hapur se bëhej fjalë për një raketë.“Kjo do të thotë se përfundimi që kemi deri tani është se objekte me energji të lartë kanë depërtuar tek avioni. Por se çfarë e ka shkaktuar këtë goditje, për çfarë lloj objektesh bëhet fjalë, kjo është pjesë e hetimit të mëtejshëm”.

Zoti Joustra tha se pjesa më e madhe e rrënojave është zhvendosur.

“Autoritetet ukrainase në disa raste kanë kërkuar miratimin tonë për zhvendosjen. Por ne menduam se kërkimi për truat kishte përparësi mbi interesat tona. Ne nuk e dimë si është situata aktualisht dhe dimri do ta bëjë pothuajse të pamundur hetimin, prandaj kushtet nuk po përmirësohen”.

Autoritetet perëndimore kanë akuzuar separatistët pro-Moskës se kishin përdorur një raketë ruse BUK tokë-ajër për të goditur avionin.

Në raport thuhet se nuk kishte të dhëna se përplasja ishte shkaktuar nga ndonjë defekt teknik. Dhe analiza e kutisë së zezë në kabinën e pilotit nuk shfaqi ndonjë gjë të pazakontë para përplasjes.

XS
SM
MD
LG