Lidhje

Avionët pa pilot dhe strategjia e Pentagonit


Qeveria amerikane nuk tregon shenja se do ta ulë përdorimin e avionëve pa pilot. Përdorimi i këtyre avionëve është element qendror i politikës së mbrojtjes të administratës Obama dhe forca ajrore amerikane është duke trajnuar tani më shumë operatorë avionësh të tillë se sa avionësh konvencionalë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Luis Ramirez arriti të marrë intervista në një objekt trajnimi të pilotëve në Bazën Ajrore Holloman të shtetit New Mexico dhe përgatiti këtë material:

Këta avionë fluturojnë pa pilotë, por pas tyre qëndrojnë njerëzit që i komandojnë nga distanca.

"Si operator, kam kontrolluar të gjitha kamerat në avionin tip Reaper MQ 9," thotë Jeremiah, rreshter i forcës ajrore, i cili nuk e tregon mbiemrin për arsye sigurie.

Detyra e tij është të drejtojë kamerat e avionit dhe të garantojë goditjen e objektivit.

Këto duken si imazhe të një loje elektronike, por këtu çdo gjë është e vërtetë. Gjatë orëve të shumta që kalojnë përpara tastierës, sidomos kur përgatiten të hapin zjarr, ata i kujtojnë se objektivat ku do të godasin nuk janë thjesht sende por njerëz.

"Ne shohim çdo gjë, i shohim njerëzit kur shkojnë në një dyqan ushqimesh apo në një lavanteri. I shikojmë kur zgjohen në mëngjes. Pasi e kemi vëzhguar kompleksin për shumë javë, ditë dhe muaj, ne jemi në gjendje të dimë se kur zgjohen ata dhe kur largohen nga kompleksi," thotë rreshter Jeremiah.

Pas dy luftërave të gjata në Irak dhe Afganistan, SHBA thonë se avionët e telekomanduar lejojnë të eleminohen terroristët pa i rrezikuar ushtarët amerikanë.

Në terren, në vende si Pakistani apo Jemeni, rezultatet janë të qarta. Objektivat janë shkatërruar dhe janë vrarë njerëz.

Autorja Audrey Kurth - Cronin thotë se Pentagoni është duke mësuar më shumë se si ndikon ky realitet tek ata që i komandojnë këta avionë.

"Për këta njerëz është shumë më e vështirë të angazhohen në këto lloj vrasjesh se sa për pilotin e një avioni të zakonshëm që ndodhet mijëra metra mbi tokë," thotë zonja Cronin.

Studimet e reja flasin për raste të shumta çrregullimesh post- traumatike, për ankth, përdorim alkooli dhe përpjekje për vetëvrasje tek operatorët e avionëve të telekomanduar.

Jean Otto është psikologe dhe bashkautore e një raporti të fundit ku krahasohet shëndeti mendos mes operatorëve që merren me avionët e telekomanduar dhe pilotëve të avionëve konvencionalë:

"Dikush mund të mendojë se për shkak se operatorët e avionëve me telekomandë nuk janë fizikisht të rrezikuar nga situata luftarake, kanë më pak probleme të shëndetit mendor se sa pilotët e avionëve luftarakë. Ne kemi zbuluar se mes dy grupeve nuk ka ndonjë ndryshim të madh."

Morali ndër pilotët e avionëve të telekomanduar pati rënie, pas vendimit të Sekretarit të Mbrojtjes Chuck Hagel vitin e kaluar për të mos u dhënë medalje këtyre operatorëse, për shkak të presionit nga ana e organizatave të veteranëve.

Për reshterin Jeremiah, të rrish përpara ekranit dhe të përpiqesh të mbledhësh informacione për objektivin, është një detyrë e vështirë.

"Kjo është pjesa më e vështirë e punës, por ne mbështetemi tek trajnimi intensiv për të garantuar se po bëjmë atë që duhet," thotë Jeremiah.

Administrata Obama është nën trysninë e vendeve partnere dhe të aktivistëve për të pakësuar sulmet me avionë të telekomanduar. Por duke patur parasysh se numri i operatorëve që po trajnohen është duke u shtuar më tepër se sa ai i pilotëve të avionëve konvencionalë, janë të gjitha shenjat se avionët pa pilot nuk do të largohen nga skena.
XS
SM
MD
LG