Lidhje

Avionëve iranianë u mohohet furnizimi me benzinë në aeroportet e tjera

  • Zëri Amerikës

Një zyrtar i linjave ajrore iraniane tha se që nga java e kaluar kur Shtetet e Bashkuara filluan të zbatojnë sanksione të reja kundër Teheranit, avionët iranianë nuk janë lejuar të furnizohen me benzinë në aeroportet e vendeve të tjera.

Agjencia iraniane e lajmeve, ISNA, citonte sot sekretarin e sindikatave të kompanive ajrore të Iranit, Mehdi Aliyari, sipas të cilit aeroportet në Britani, Gjermani dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë pranuar të furnizojnë avionët iranianë. Ai tha se refuzimi filloi pas ditës së enjte, kur Presidenti Obama ktheu në ligj paketën e re të sanksioneve.

Këto sanksione prekin sektorët e energjisë dhe të bankave të Iranit. Qëllimi është t’ia bëjnë më të vështirë qeverisë iraniane blerjen e benzinës së rafinuar, duke përjashtuar nga tregjet amerikane ato kompani që merren me shitjen e benzinës, benzolit dhe produkteve të ngjashme në drejtim të Iranit.

Zoti Obama tha se këto sanksione do të godasin në zemër të aftësive të Iranit për të financuar dhe zhvilluar programin e armëve bërthamore për të cilin akuzohet.

XS
SM
MD
LG