Lidhje

Avioni spiun U-2


Avioni spiun U-2
Avioni spiun U-2

Duhen shumë aftësi dhe teknologji për ta pilotuar avionin U2 në një lartësi mbi 21 mijë metra ku ai merr imazhe kritike dhe grumbullon të dhëna zbulimi.

Një orë para nisjes, piloti fillon të thithë oksigjen të pastër për të pakësuar ndikimin e oksigjenit të ralluar në atë lartësi.

Majori Colby Kuhns i skuadronit të 5 ajror të zbulimit, thotë se është si të jesh në majë të malit të Everestit. Ai thotë:

"Nuk kam patur ndonjë problem me lartësitë e mëdha, por rreziku është përherë i pranishëm. Ata që fillojnë të kenë simptoma ndjejnë dhimbje në kyçe dhe gjendja mund të përkeqësohet edhe më tej”.

Ulja e avionit spiun, kërkon gjithashtu aftësi të veçanta.

Piloti ndonjëherë pas përfundimit të një misioni të vështirë që mund të zgjasë deri në 12 orë, ka shikim të dobët nga kabina.

Për shkak se avioni me krahë të gjerë ka një lloj pajisje të veçantë uljeje, një pilot i dytë në një makinë shumë të shpejtë në pistë ndjek uljen, duke folur me radioma me kolegët e tij në kabinë për t’i ndihmuar të mbajë drejtimin e duhur në lartësinë fikse 60 centimetra nga toka.

Kur avioni U-2 kthehet nga fluturimi, ekipi i mirëmbajtjes që drejtohet nga Lejtnanti Danielle Rogowski, kontrollon gati 150 pjesë të avionit që duhen të zëvendësohen në intervale të caktuara.

"Lartësia e madhe i shkakton dëme avionit. Shumë nga pjesët e tij vihen nën presion nga ndryshimi i temperaturave." - thotë ai

Avioni i parë U-2 fluturoi në vitin 1955. Fillimisht komandantët e skuadriljeve dhe mbështetja logjistike ishin nga Forca Ajrore, ndërsa , pilotët dhe planifikuesit e misionit ishin të CIA-s.

Një version i ri, 40 përqind më i madh sesa varianti origjinal i U-2 u prodhua në vitin 1980. Në vitet 1990, U-2 u pajisën me motorë të rinj.

Majori Carl Maymi, i ulur në kabinën e një avioni relativisht të ri U-2 para një sesioni trajnimi në lartësi të vogël, thekson se Forca Ajrore Amerikane ende ka bombardues nga koha e viteve 1950.

Përveç misioneve tradicionale të periudhës së Luftës së Ftohtë, avionët U-2 japin tani ndihmë në kohë reale për trupat në zonë lufte si në Afganistan.

E ardhmja e tij është në pikëpyejtje megjithatë. Departamenti i Mbrojtjes pesë vjet më parë, kishte në plan të fillonte heqjen e tyre nga qarkullimi. Por kongresi këmbënguli që avionët spiun të qëndrojnë derisa ata të tipit pa pilot të jenë të aftë të zëvendësojnë misionet kritike.

Forca Ajrore thotë tani se kjo do të ndodhë në vitin 2015 kur avionët pa pilot Global Hawk RQ-4 të ndërmarrin misione si U-2.

XS
SM
MD
LG