Lidhje

Paraqitet F35, avioni më i shtrenjtë luftarak


Nuk është e vështirë të kuptosh se çfarë i tërheq më shumë vizitorët në Panairin e Aviacionit të këtij viti në Farnborough të Anglisë. Është avioni luftarak amerikan i teknologjisë së lartë F35, i cili pritej të përfundonte prodhimin dy vjet më parë. Por ekspertët mendojnë se ia vlente të prisnin.

F35-a është një nga avionët më të fuqishëm të krijuar ndonjëherë dhe ndër më të avancuarit nga pikëpamja teknologjike. Është gjithashtu një nga më të shtrenjtët.

Ai kushton më shumë se 100 milionë dollarë, dhe përbën programin më të shtrenjtë të armëve që ka Pentagoni.

"Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe ajo britanike thonë se po bashkëpunojnë për të ulur koston dhe deri në fund të dekadës një avion F35 do të kushtojë po aq sa edhe një avioni i një brezit të vjetër. Pra, po ta shikosh nga kjo pikëpamje, prodhimi i këtij avioni ia vlen,” thotë Mike Rein, i firmës “Lockheed Martin”.

Qeveria britanike duket se ka rënë dakord të blejë 48 avionë të tillë deri në vitin 2023.

Marrëdhëniet e veçanta mes dy vendeve pritet të mbeten të tilla edhe pas daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian.

"Marrëdhëniet ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar nuk do të ndryshojnë për shkak të daljes nga BE-ja. Ne kemi qenë partnerë shumë më përpara Bashkimit Evropian. Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë qenë partnerë që në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore dhe kjo nuk do të ndryshojë", thotë zoti Rein.

Disa zyrtarë ushtarakë amerikanë kanë thënë se demonstrimi i këtyre avionëve në panair është një sinjal që flet për synimet e NATO-s në rajon.

"Shfaqja e avionit F35 në panair sigurisht që është lajm i mirë. Politikanët dhe ushtarakët që kanë përzgjedhur këtë lloj avioni për ta paraqitur në panair presin të dëgjojnë lajme pozitive që do t’i raportojnë kur të kthehen në vendin e tyre,” thotë Richard Aboulafia, President i groupit “Teal”.

Duke gjykuar nga vemendja që ka ngjallur, nuk do të kalojë shumë para se ky lloj avioni ta justifikojë koston e lartë.

Belgjika dhe Finlanda mund të jenë mes konsumatorëve të ardhshëm të firmës “Lockheed”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG