Lidhje

Avioni i rrëmbyer etiopian ulet në Gjenevë


Piloti rezervë i një avioni të linjave etiopiane që fluturonte për në Romë e rrëmbeu aeroplanin dhe e uli atë pa probleme në Gjenevë ku u arrestua.

Autoritetet thonë se bashkë-piloti, i cili është në të tridhjetat, e mori kontrollin e avionit Boeing 767 duke mbyllur derën e kabinës kur piloti kryesor u largua nga kabina për nevoja personale.

Zyrtarët zviceranë thonë se sapo avioni u ul në Gjenevë, piloti rezervë doli nga kabina me litar dhe iu dorëzua autoriteteve duke thënë se ai ishte "pirat" dhe po kërkonte strehim politik nga frika e përndjekjes në vendin e tij. Ende nuk është e qartë se për çfarë përndjekjeje bëhet fjalë.

Avioni ishte nisur nga Adis Abeba, kryeqyteti i Etiopisë, dhe kishte 202 udhëtarë në bord. Kompania Etiopian Airlines tha më parë se avioni "ishte detyruar ta vazhdonte rrugën për në Gjenevë", ku u ul pa probleme.

Policia në aeroportin ndërkombëtar të Gjenevës i shoqëroi udhëtarët një nga një nga avioni me duart mbi kokat e tyre, drejt makinave që prisnin në pistë.

Fillimisht aeroporti i Gjenevës u mbyll për fluturimet e tjera, por u rihap pas uljes së avionit etiopian.
XS
SM
MD
LG