Lidhje

SHBA: Shënohet fillimi i Muajit të Trashëgimisë Hispanike

  • June Simms

SHBA: Shënohet fillimi i Muajit të Trashëgimisë Hispanike

SHBA: Shënohet fillimi i Muajit të Trashëgimisë Hispanike

Instituti i Kongresistëve Hispanikë zhvillon sot ceremoninë e 33-të të ndarjes së çmimeve. Ceremonia, që mbahet çdo vit më 15 shtator, shënon fillimin e Muajit Kombëtar të Trashëgimisë Hispanike.

Instituti ofron ndihmë për arsim si dhe zhvillimin e karrierës e të rolit udhëheqës. Tre anëtarë hispanikë të Kongresit amerikan -- Edward Roybal, Kika de la Garza dhe Baltasar Corrada – e formuan këtë institut më 1978, për të përgatitur të rinjtë hispanikë që të bëhen udhëheqës në të ardhmen.

Shekulli i 21 ka sjellë një ndryshim historik në Shtetet e Bashkuara. Hispanikët janë tani një pakicë më e madhe se sa afrikano-amerikanët, si dhe grupi me rritjen më të shpejtë. Sipas përllogaritjeve të korrikut të vitit të kaluar, më shumë 48 milionë banorë ose 16 përqind e popullsisë në Shtetet e Bashkuara i përkisnin trashëgimisë hispanike. Nga mesi i vitit 2050, agjencia e statistikave parashikon se hispanikët do të përbëjnë 30 përqind të popullsisë apo 130 milion banorë.

Muaji i Trashëgimisë Hispanike, që shënohet nga 15 shtatori deri më 15 tetor, kremton historinë dhe kulturën e popujve me prejardhje nga Spanja, Meksika dhe vendet e tjera spanjishtfolëse të kontinentit amerikan.

15 shtatori u zgjodh si dita e nisjes së kremtimeve për shkak se shumë vende të Amerikës Latine festojnë ditën e pavarësisë në këtë datë ose në një datë të afërt. Këtë vit, Meksika shënon dyqind vjetorin e shpalljes së pavarësisë nga Spanja më 16 shtator 1810.

Çdo vit Instituti i Kongresistëve Hispanikë nderon tre anëtarë të komunitetit. Një nga laureatët sivjet është Eva Longoria-Parker, aktore në serialin televiziv "Desperate Housewives".

Artistja Parker është përfshirë në bamirësi dhe do të nderohet me çmim për udhëheqje dhe shërbim për komunitetin. Organizata e saj "Eva's Heroes" punon për të përmirësuar jetën e individëve që përballen me probleme zhvillimi. Ajo është edhe zëdhënëse e organizatës "Padres Contra el Cancer", që ka ndihmuar në përmirësimin e jetës për fëmijët hispanikë me kancer. Eva Longoria Parker ka bashkëpunuar edhe me organizata të tjera që ofrojnë mbrojtje ligjore dhe ndihmojnë në fushën e arsimit për komunitetin hispanik.

Instrumentisti Arturo Sandoval, fitues i çmimit Gremi, do të nderohet edhe me çmimin e Institutit të Kongresistëve Hispanik. Artisti i lindur në Kubë, që më pas kërkoi strehim politik në Shtetet e Bashkuara, është vlerësuar për programet e tij edukative në fushën e muzikës.

Personi i tretë që do të nderohet nga Instituti i Kongresistëve Hispanik është Lin-Manuel Miranda, aktor, dramaturg dhe kompozitor me prejardhje nga Porto Riko. Zoti Miranda njihet si autor i operetës së mirënjohur të Brodueit "In the Heights", ku paraqitet jeta e komunitetit latin të lagjes së tij të fëmijërisë -- Uashington Hajts në qytetin e Nju Jorkut.

Zoti Miranda, i cili është shpërblyer me çmime prestigjioze për punën e tij si artist, është angazhuar me disa organizata, sidomos në shëndetësi, si për luftën kundër sidës dhe ofrimin e kujdesit shëndetësor për të prekurit nga kjo sëmundje.

Motoja e sivjetshme e çmimeve të Institutit është "Të kremtojmë historinë, trashëgiminë dhe ëndrrën amerikane". Ndërkaq, ngjarje të shumta kulturore do të zhvillohen në mbarë vendin për nder të Muajit Kombëtar të Trashëgimisë Hispanike.

XS
SM
MD
LG