Lidhje

Azi: Bien bursat, tregjet i përfshin pasiguria


Bursat aziatike pësuan sot rënie ndërkohë që po shtohen shenjat se rigjallërimi i ekonomisë botërore po sprapset. Kudo në Azi investitorët filluan të shesin aksionet e rrezikuara ndërkohë që tregjet i ka përfshirë pasiguria.

Është dita e tretë radhazi që çmimet e aksioneve bien kudo në bursat aziatike. Kjo pason rëniet e aksioneve në Uoll Strit që morën shkas nga lajmet ekonomike shqetësuese.

Deficiti tregtar amerikan u rrit në muajin qershor duke arritur nivelin më të lartë në 20 muaj për shkak të rënies së eksporteve – një shënjë ngadalësimi kjo në prodhimin industrial. Rigjallërimi i ekonomisë më të madhe të botës ka ecur ngadalë dhe kjo ka ngjallur shqetësime.

Edhe treguesit e Kinës, një motor i rëndësishëm i rritjes ekonomike në Azi kanë qenë dekurajues.

Zgjerimi i importeve, prodhimi industrial, shitjet me pakicë dhe investimet e reja janë ngadalësuar gjë që nënkupton se rimëkëmbja e shpejtë e ekonomisë kineze nga recesioni global po ftohet.

Në Japoni, jeni i fortë i cili po i vështirëson eksportet, vazhdoi të ndikojë negativisht mbi bursën.

"Japonia gjithnjë ka qenë vend i rëndësishëm eksportues, ajo edhe sot e ruan pozitën e saj të fortë në eksporte pra jeni konsiderohet një monedhë e sigurtë. Kjo bën që njerëzit të shesin euron dhe dollarin dhe të blejnë jenin japonez," thotë Francis Lun, menaxher i firmës Fulbright Securities Limited.

Lajmet e këqia nga Amerika dhe Azia së bashku me ekonominë europiane në gjendje apatie kanë ngjallur frikën se ekonomia botërore mund të rrëshqasë përsëri në recesion.

XS
SM
MD
LG